“Pushtimi” i heshtur i demencës, mjekët: Po shtohen të prekurit, është ulur edhe grupmosha

Muaji shtator njihet ndryshe si periudha e ndërgjegjësimit ndaj sëmundjes së demencës. Në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike të Elbasanit rreth 50 përfaqësues nga 20 vende prezantuan gjetjet e tyre. Ato tregojnë se, fatkeqësisht, numri i të prekurve me këtë sëmundje është në rritje e po ashtu edhe grupmosha është ulur.
“Mund të ketë disa faktorë që të ndikojnë në shfaqen e demencës në moshë të hershme të cilët mund të jenë, duhani, alkoli, mungesa e aktivitetit fizik, diabeti i tipit 2 të gjithë këta janë faktorë rreziku.
Por rritja e numrit të pacientëve që konfirmohen me këtë sëmundje lidhet edhe me rritjen e moshës së popullatës dhe ndryshimin demografik. Ne kemi bërë disa kërkime dhe është e vështirë të përcaktojmë një moshe se kur fillon demencia por rastet me të shumta janë mbi moshën 55 vjeç.
Janë rreth 200 sëmundje që përfshihen nën “çadrën” e demencias dhe kërkojnë trajtim të specializuar”, tha Sigurd Lauridsen, universiteti i Danimarkës Jugore
Demencia është një sëmundje e vështirë që ndikon jo vetëm në jetën e pacientit por gjithashtu edhe të familjarëve.
Në Shqipëri ende nuk ka një regjistër zyrtar mbi numrin e perdonave të prekur nga kjo sëmundje. Por referuar një analize të “Global Burden of Disease”, programit më të madh të kërkimit në botë për sëmundjet, vlerësohet se në vitin 2019 rreth 36 mijë persona në Shqipëri ishin me demencë, ndërsa në vitin 2050 parashikohet të preken rreth 87 mijë persona.


