Rritje rekord e vizitorëve në Antarktidë/ Ekspertët: Rrezikohet një nga ekosistemet më të brishta në botë

Antarktida po përjeton një rritje të ndjeshme të turizmit, e lidhur kryesisht me shqetësimet për ndryshimet klimatike dhe shkrirjen e akullit në këtë kontinent të largët.
Sipas të dhënave të raportuara nga AP, gjithnjë e më shumë turistë po zgjedhin të udhëtojnë drejt zonave polare për të parë nga afër peizazhet e akullta, para se ato të ndryshojnë apo të zhduken me kalimin e kohës. Ky fenomen është quajtur edhe “turizëm i shansit të fundit”.
Ekspertët paralajmërojnë se rritja e numrit të vizitorëve mund të sjellë edhe pasoja për mjedisin, si ndotje, përhapje sëmundjesh dhe shqetësim të jetës së egër në një nga ekosistemet më të brishta në botë.
Shumica e ekspeditave turistike shkojnë në Gadishullin Antarktik, një nga zonat që po ngrohet më shpejt në planet. Të dhënat e NASA-s tregojnë se në dy dekadat e fundit, Antarktida ka humbur mesatarisht rreth 149 miliardë tonë akull çdo vit.
Në vitin 2024, mbi 80 mijë turistë kanë zbarkuar në kontinent, ndërsa numri i përgjithshëm i vizitorëve nga anijet turistike vazhdon të rritet çdo vit. Studiuesit parashikojnë se në dekadën e ardhshme ky numër mund të shumëfishohet.
Përveç ndikimit në mjedis, autoritetet dhe organizatat shëndetësore kanë ngritur shqetësime edhe për rrezikun e përhapjes së sëmundjeve në anijet turistike, ku hapësirat e mbyllura dhe kontaktet e afërta mund të favorizojnë infeksionet.
Organizatat ndërkombëtare që monitorojnë Antarktidën kanë kërkuar rregulla më të forta për turizmin, duke kufizuar kontaktin me kafshët dhe duke vendosur masa strikte për mbrojtjen e ekosistemit.
Sipas Traktatit të Antarktidës, kontinenti përdoret për qëllime paqësore dhe shkencore, por ekspertët thonë se rritja e turizmit po e vë gjithnjë e më shumë në provë këtë sistem mbrojtës.


