Vendet me cilësinë më të lartë të jetesës në botë

Indeksi i Cilësisë së Jetës i Numbeo, një nga matësit më të përdorur globalisht për kushtet e jetesës, ka publikuar renditjen më të fundit për vitin 2025, duke reflektuar perceptimin e qytetarëve mbi mirëqenien, kostot, sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve në vendet ku jetojnë.
Sipas raportit, Zvicra mbetet ndër vendet me cilësinë më të lartë të jetesës në botë, falë fuqisë së madhe blerëse, nivelit të ulët të ndotjes, sistemit të avancuar shëndetësor dhe infrastrukturës së qëndrueshme.
Vendet e Europës Perëndimore vijojnë të dominojnë renditjen edhe pas një dekade, duke dëshmuar që sistemet e tyre të forta të mirëqenies sociale dhe sigurisë mbeten shembull për pjesën tjetër të botës.
Holanda është rasti më pozitiv në kontinent, me një rritje të ndjeshme në indeks është ngjitur me 12 vende që nga viti 2015, duke përmirësuar ndjeshëm transportin publik, kujdesin shëndetësor dhe balancën mes punës dhe jetës.
Në të kundërt, Suedia ka pësuar një rënie të konsiderueshme: nga vendi i 3-të në 2015, në të 13-in në vitin 2025.
Sipas analizës, arsyeja kryesore është rritja e krimit të organizuar, një fenomen që ka prekur sigurinë publike dhe perceptimin e jetesës.
Aktualisht, vlerësohet se rreth 62 mijë persona janë të lidhur me rrjete kriminale që merren me trafik droge, trafikim njerëzor dhe pastrim parash.
Nga ana tjetër, Kanadaja ka shënuar rënien më dramatike në indeks nga vendi i 9-të në 2015 në të 27-in këtë vit.
Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë rënie janë kriza e banesave dhe vështirësitë në sistemin shëndetësor.
Çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur shumë më shpejt se të ardhurat, duke bërë që përballueshmëria e banesave të jetë një shqetësim madhor.
Sipas një sondazhi të Statistics Canada (2024), 45% e kanadezëve janë “shumë të shqetësuar” për aftësinë e tyre për të blerë ose përballuar qiranë e një banese.
Një tjetër sfidë madhore për qytetarët është koha e gjatë e pritjes për trajtim shëndetësor.
Sipas Institutit Fraser, pritja mesatare midis referimit nga mjeku i familjes dhe marrjes së trajtimit është tashmë 30 javë, krahasuar me vetëm 9.3 javë në vitin 1993 — një rritje prej 222%.
Si matet cilësia e jetës sipas Numbeo
Indeksi global i Numbeo mbështetet në sondazhe me përdorues nga e gjithë bota, duke analizuar perceptimet për tetë faktorë kryesorë:
Fuqia blerëse
Ndotja
Raporti i çmimit të banesës ndaj të ardhurave
Kostoja e jetesës
Siguria
Kujdesi shëndetësor
Koha e udhëtimit për në punë
Klima
Rezultati për secilin vend përfaqëson një vlerësim të përgjithshëm të kushteve të jetesës, ku shifra më e lartë tregon një cilësi më të mirë jetese.


