FIFA mbush arkat për fituesin e Botërorit/ Ja shuma e majme që do të marrë Kombëtarja që do të ngrejë Kupën e Botës

Sport

FIFA mbush arkat për fituesin e Botërorit/ Ja shuma e majme që

FIFA ka njoftuar një rritje prej 50% të shpërblimeve për Kupën e Botës 2026, duke bërë të ditur se fituesit e turneut do të marrin 50 milionë dollarë si shpërblim për suksesin e tyre.

Lajmi vjen disa ditë pas zemërimit të gjerë publik për çmimet e biletave për ndeshjet e turneut që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. Për të adresuar këtë shqetësim, FIFA ka njoftuar se do të ofrohen bileta me çmim të ulur për tifozët e ekipeve pjesëmarrës.

Pas një mbledhjeje të Këshillit të FIFA-s në Doha, organi qeverisës i futbollit global njoftoi se do të ndahen gjithsej 727 milionë dollarë për anëtarët e saj, si rezultat i Kupës së Botës 2026. Nga kjo shumë, 655 milionë dollarë do të shpërndahen si shpërblime për ekipet që do të kualifikohen. Kështu, ekipi fitues do të marrë 50 milionë dollarë, ndërsa ata që do të dalin të dytë do të marrin 33 milionë dollarë. Ekipet që do të renditen nga vendi i 33 deri në të 48-in do të marrin nga 9 milionë dollarë secili. Gjithashtu, çdo skuadër do të marrë nga 1.5 milionë dollarë për “shpenzimet e përgatitjeve”, duke siguruar një minimum prej 10.5 milionë dollarësh për çdo komb.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha: “Kupa e Botës 2026 do të jetë një ngjarje historike për kontributin financiar në komunitetin global të futbollit.”

Në një revision të mëparshëm të parashikimeve, FIFA ka shpallur se pret të arrijë të ardhura rekord për ciklin katërvjeçar që përfundon me Kupën e Botës të vitit 2026. Organizata parashikon të marrë rreth 13 miliardë dollarë nga të drejtat e marketingut dhe të tjera burime, një rritje e konsiderueshme krahasuar me 7.5 miliardë dollarët që ka mbledhur gjatë ciklit të mëparshëm (2018-2022).

Ndërkohë, FIFA njoftoi gjithashtu se do të shpërndahen bileta me çmim më të ulët prej 60 dollarë (rreth 45 paund) për tifozët më të besuar të ekipeve pjesëmarrës, si pjesë e një pakete të kufizuar që do të jetë në dispozicion. Sidoqoftë, vetëm 10% e biletave do të jenë të disponueshme në këtë çmim. Për ndeshjen hapëse mes Anglisë dhe Kroacisë, p.sh., vetëm rreth 400 tifozë mund të përfitojnë nga ky çmim, nga mbi 4,000 që mund të blejnë bileta përmes Klubit të Tifozëve të Anglisë (ESTC). Për pjesën tjetër, çmimi i biletave do të fillojë nga 198 paund për ndeshjen e parë, dhe mund të arrijë deri në 3,140 paund për finalen.

Kryetari i Shoqatës së Tifozëve të Futbollit në Angli, Tom Greatrex, e kritikoi FIFA-n për çmimet e larta të biletave dhe theksoi se shpërblimi i madh i turneut tregon se ka mundësi për ulje të kostos për tifozët. “Me më shumë skuadra, stadiume më të mëdha dhe një numër më të madh partnerësh komercialë, nuk ka nevojë të ngarkohen çmime të papërballueshme për tifozët që sjellin ngjyrat e botërorit,” tha ai. “Nuk është vonë që FIFA të korrigjojë gabimin dhe të shpëtojë atë që e bën Kupën e Botës speciale.”

ME TE LEXUARAT