Kosova mposht Serbinë në ring! Donjeta Krasniqi "shkatërron" kundërshtaren dhe merr të artën

Sport

Kosova mposht Serbinë në ring! Donjeta Krasniqi
Duhej ta fitonte këtë derbi.

Edhe pse përballë nuk pati me të vërtetë një boksiere serbe, sërish Donjeta Krasniqi u ndesh me përfaqësuesen e Serbisë në finalen e garave të boksit për peshën deri 60 kg në Lojrat Mesdhetare.

Në ringun e Tarantos në Itali, vajza 27-vjeçare nga Prishtina mposhti bindshëm rusen Kristina Kuluhova, madje pa u mbyllur seti I dytë.

 
Siç e tha edhe vetë pas suksesit, Krasniqi priti një finale me 3 raunde, por epërsia e saj ishte e madhe.

Fitoi të parin, sipas vlerësimit të 4 nga 5 gjyqtarët, ndërsa në të dytin I shkaktoi dëmtim mbi sy boksieres së Serbisë.

Kjo bëri që arbitri ta mbyllte ndeshjen për të mos rrezikuar shëndetin e Kuluhovës.

Kjo ishte medalja e parë e Kosovës në këto Lojra Mesdhetare, dhe për fat të mirë flitet për të artën.

Në ceremoninë e medaljeve, Komiteti Olimpik i Serbisë zgjodhi që sportistja e saj të mos dilte për të marrë argjendin, një bojkot që mund të ketë lidhje me mosnjohjen e Kosovës si shtet, ndonëse boksierja serbe e zhvilloi ndeshjen ndaj Donjetës.

Shqipëria, ndërkaq, ka fituar 3 medalje në Taranto, një të artë, një argjend dhe një bronz.

Renditjen e kryeson Italia me 110 medalje, e ndjekur nga Turqia dhe Greqia.

ME TE LEXUARAT