Nis ceremonia hapëse e Botërorit, Shakira ndez stadiumin 'Azteca' me 'Dai Dai'! Dominojnë elementët latinë

Ka nisur në stadiumin Azteca të Meksikës ceremonia hapëse e Botërorit 2026 ku në orë 21:00 do të luhet edhe ndeshja e parë mes vendasve dhe Afrkës së Jugut.
Atmosfera ka qenë menjëherë e zjarrtë sepse në skenë janë ngjitur disa prej emrave më të dëgjuar në botën e muzikës, ndërsa padiskutim kulmoi me performancën e Shakirës dhe Burna Boy, pasi performuan këngën zyrtare të Botërorit ‘Dai Dai’.
Shfaqja e Botërorit po dominohet nga elementë të kulturës latine, teksa më herët performuan me rradhë Alejandro Fernandez, Belinda, Dany Ocean, J Balvin, Lila Doëns, Los Ángeles Azules, Maná dhe Tyla. Ceremonia hapëse do të vijojë deri rreth orës 20:45, teksa në skenën e stadiumit do të ngjiten edhe emra shumë të rëndësishëm të artit.
Në këtë Botëror për herë të parë do të ketë tre ceremoni hapëse, pasi përveçse në Meksikë e njëjta gjë do të zhvillohet edhe në Toronto në ndeshjen që Kanadaja do të luajë kundër Bosnje-Hercegovinës. Në të njëjtën datë, por disa orë më vonë ceremoni hapëse është parashikuar edhe në Los Angelos në ndeshjen SHBA-Paraguaji. Edhe në këto ceremoni qëllimi është që organizatorët të tregojnë elementë të kulturës së tyre.
Ky edicion do të shënojë një revolucion në formatin e garës. Për herë të parë do të marrin pjesë 48 kombëtare, në vend të 32 që kanë qenë deri tani. FIFA ka vendosur të zgjerojë turneun për t’u dhënë më shumë mundësi vendeve nga Europa, Afrika, Azia dhe Amerika e Veriut që të jenë pjesë e skenës më të madhe të futbollit botëror.
Formati i ri parashikon 12 grupe me nga katër skuadra. Dy ekipet e para të secilit grup do të kualifikohen automatikisht, ndërsa në fazën tjetër do të kalojnë edhe tetë skuadrat më të mira që renditen në vendin e tretë. Në total, 32 kombëtare do të avancojnë në fazën me eliminim direkt.
Risia më e madhe është futja e raundit të 1/16-ve, çka rrit numrin e ndeshjeve dhe zgjeron kalendarin e turneut. Finalistët dhe skuadrat që do të luftojnë për vendin e tretë do të zhvillojnë tashmë tetë ndeshje, një më shumë se në formatin e mëparshëm.
Nga 64 ndeshje që zhvilloheshin në edicionet e kaluara, Botërori 2026 do të ketë plot 104 takime të shpërndara në 16 qytete pritëse. Turneu do të zgjasë 39 ditë, nga 11 qershori deri më 19 korrik, kur do të luhet finalja e madhe në stadiumin “MetLife” të New Yorkut.
Faza e grupeve do të zhvillohet nga 11 deri më 28 qershori, ndërsa menjëherë më pas do të nisë faza me eliminim direkt. Çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja do të përcaktojnë kampionen e re të botës në një turne që premton të jetë spektakolar si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë organizativ.
Përveç futbollit, organizatorët kanë premtuar një festë globale me pjesëmarrjen e emrave të njohur të muzikës botërore si Shakira, Burna Boy, Katy Perry, Blackpink, Rema dhe Anitta, duke e kthyer Kupën e Botës 2026 në një ngjarje që bashkon sportin, kulturën dhe argëtimin në përmasa të papara më herët.


