"4000 kredi të buta për çiftet e reja", ministrja jep lajmin: Programi i strehimit miratohet në tetor

Aktualitet

"4000 kredi të buta për çiftet e reja", ministrja jep
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi programin e ri të strehimit dhe hodhi poshtë pretendimet se paketa është program elektoral në një kohë kur vendi shkon drejt zgjedhjeve vendore. Ajo sqaroi se synohet që paketa të miratohet në fillim të tetorit, ndërsa thirrjet për përfituesit do të hapen brenda këtij viti.

“S’do të futet në fuqi në 2027. Paketa ligjore miratohet në fillim të tetorit. Thirrjet do të hapen po gjatë vitit aktual. Duke qenë se ka proces administrativ për menaxhimin e thirrjeve, fituesit do t’i shpallim në fillim të vitit 2027.

Në programin e PS-së kemi pasur fokus te strehimi. Strehimi është një çështje që meriton më shumë fokus, zgjerimi i kësaj politike meriton vëmendje të veçantë. Ky nuk është program elektoral, zgjedhje ka çdo dy vjet. Çdo politikë që ne bëjmë, s’duhet ta lidhim me programet elektorale”, tha Ibrahimaj.

Programi parashikon që 4 mijë çifte të reja të kenë mundësi të blejnë banesë me kredi të subvencionuar nga shteti.

E pyetur nëse mund të gjenden apartamente me vlerë rreth 60 mijë euro, Ibrahimaj tha se banesa me këto çmime ka kryesisht në periferi të Tiranës dhe me sipërfaqe më të vogla. Sipas saj, programi synon veçanërisht të rinjtë që sapo kanë përfunduar studimet dhe po hedhin hapat e parë në tregun e punës.

“Ky program do t’u dedikohet atyre profesionistëve që sapo kanë mbaruar studimet, duan të jetojnë pranë vendit të punës apo shërbimeve dhe duan të nisin jetën e tyre duke pasur në pronësi një apartament”, tha Ibrahimaj.

Programi i ri parashikon 2 mijë kredi me interes 0% dhe 2 mijë të tjera me interes 3%, ndërsa për 3 mijë familje të reja shteti synon të mbulojë gjysmën e qirasë.

ME TE LEXUARAT