A mund të jetë Shqipëria pikë rajonale për shpërndarjen e gazit amerikan?

Aktualitet

A mund të jetë Shqipëria pikë rajonale për

Sektori energjitik në Shqipëri vazhdon të mbështetet në veprat që janë ndërtuar gjatë viteve të diktaturës komuniste.

Sot mund të thuhet se sistemi është modernizuar në menaxhim me ndarjen e sektorit në prodhim, transmetim dhe shpërdarje, por kjo nuk ka qënë zgjidhje.

Le të analizojmë me shifra asetet që ka sektori prodhues në vend.

Shqipëria ka nevojë çdo vit mesatarisht për 8 terravat energji elektrike për të furnizuar nevojat e bizneseve dhe familjarëve për energji.

Nga kjo sasi, sektori publik i prodhimit është në gjendje të ofrojë afërsisht 4 terravat, që pëbën gjysmën e konsumit. Pjesa tjetër plotsohet nga prodhimi i hidrocentraleve private dhe importi.

E gjithë energjia që prodhohet nga sektori shtetëror, vjen nga hidrocentralet e Kaskadës së Drinit: Vau i Dejës, Komani dhe Fierza.

Fuqia e instaluar e kapacitetit prodhues të energjisë në këtë kaskadë është 1350 megavat orë. Astete të tjera të prodhimit të energjisë janë termocentrali i Vlorës që nuk është në gjendje pune, dhe impianti fotvoltaik i Qyrsaqit me fuqi prodhimi 5 megavat orë.

Në total, sistemit publik i janë shtuar gjatë periudhës së postkomunizimit 36 megavat orë fuqi, ku nëse prodhojnë me kapacitet të plotë arrijnë të përballojnë nevojat për furnizim për 10 ditë.

Që pas daljes nga komunizmi dhe deri më sot, prodhimi kombëtar i vendit është rritur me 13 herë, dhe kërkesa për konsum të energjisë me 5 herë. Fuqia prodhuese, është reduktuar, po të kujtojmë privatizimin e 4 hidrocentraleve Bistrica 1 dhe 2 dhe Ulzën e Shkopetin.

Shpenzimet për energjinë elektrike që marrim nga tregu privat llogariten të gjitha te çmimi i energjisë elektrike që paguajmë në faturën e dritave. 

Në varësi të viteve, qindra milion euro kanë shkuar si mbështetje direkte nga buxheti i shtetit për të ndihmuar kompanitë publike që të blejnë energji.

Shumë është thënë për rritjen e kapaciteteve, por asgjë nuk është bërë.

“Në Mandaitin e katërt ne do të marrin rolin e një vendi sovran në energji, nuk do të kemi më nevojë të importojmë energji. Jo vetëm do të kemi për vete por do t’i eksportojmë dhe të tjerëve.” do të përsëriste dhe në fushatën e shkuar, kryeministri Edi Rama. 

Pas kësaj tabloje që përsëritet si dejavue, investime gjigande janë premtuar në sektorin e energjisë: private dhe publike. 

E fundit ishte memorandimi i mirëkuptimit dhe që nënshkroi kompania publike e gazit Albgaz me kompaninë Atlantic SEE LNG Trade, për ndërtimin e një qendre për shpërndarjen e gazit në Vlorë dhe furnzimin me gaz të lëngshëm të Shqipërisë. 

Sipas përshkrimit që dha qeveria e Shqipërisë, kompania do të lidhë një kontratë me vlerë 6 miliard dollarë për furizimin me gaz të lëngshëm për 20 vjet të Shqipërisë, ndërtimin e një porti për shpërndarjen e gazit, rritjen e kapaciteteve prodhuese të termocentralit të Vlorës dhe ndërtimin e tubacionit që lidh nyjen dalëse të gazsjellësit Transadriatic azit.

Por cili është konteksti që amerikanët kërkojnë këto investime dhe sa të mundshme janë ato për t’u realizuar?

E gjitha nis me investimin e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të hequr varësinë e Europës nga gazi rus. 

Importi i gazit rus ka rënë nga 45% të furnizimit në vitin 2021, në 19% në fund të vitit të shkuar, në zbatim të politikave të ndjekura pas nisjes së luftës në Ukrainë për hequr varësinë nga Rusia. Megjithatë Rusia vijon të mbetet një nga furnizuesit kryesorë të Europës me gaz. Afro 1 miliard euro në muaj shpenzohen nga vendet e Bashkimit Europian për të blerë lëndën djegëse fosile që prodhon gazin. Hungaria, Sllovakia dhe Austira vazhdojnë të kenë varësi direkte për furzinimin me energji nga Rusia. 

Në këtë kontekst, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të ndjekin politika për të dobësuar fuqinë ekonomike që ka Rusia në Europë, politika që  kanë marrë mbështetje edhe më të madhe gjatë qeverisjes së presidentit Donald Trump. 

Përmes një teknologjie të re që shndërron gazin natyror në të lëngshëm, SHBA-të synojnë që gazi i tyre të hyjë në tregun europian. Kjo metodë nuk kërkon tubacion për transport, por bëhet përmes kontenierëve në rrugë detare dhe pasi rigazifikohet në impantet që ndërtohen në porte dhe shpërndahet në tubacione. 

Amerika renditet në vend të dytë pas Norvegjisë për furnizimin e Europës me gaz, një lëndë që prodhohet në sasi të larta në SHBA dhe që ka çmim të ulët.

Çmimet e gazit në SHBA janë në nivele të ulëta, afërsisht $2.52 per dekaterm, për shkak të prodhimit rekord dhe mungesës së kapaciteteve të reja të eksportit, ndërsa në Europë çmimet janë të larta, mesatarisht në 22 për dekaterm, rritje që u pasua sidomos nga  kriza gjeopolitike e konfliktit SHBA – Iran, ku mbyllja e Ngushticës së Hormuzit vështirësoi furnizimet nga Katari. 

Terminalet kryesore të shpërndarjes së gazit amerikan në Euopë janë në Hollandë, Beligjikë, Francë dhe Britani të Madhe. 

Gjermania ka investuar masivisht në terminale lundruese për të zëvendësuar gazin rus, Italia ka forcuar sigurinë energjetike me terminale si ai në Piombino dhe terminalin e ri në Ravena që pritet të hapet këtë vit. 

Së fundi SHBA-të kanë nënshkruar marrëveshje me Kroacinë për të bërë shpërndarjen e gazit amerikan në portin e ishullit Kërk, pnjë investim i nisur në vitin 2021 për furnzimin me gaz të lëngshëm. Kapaciteti i këtij terminali u rrit nga 2.9 becimetër në 6.1, duke e kthyer në një nga pikat kryesore për furnizimin e Hungarisë, Sllovenisë dhe vendeve të tjera të rajonit. Një tjetër terminal në Alexandroupolis, Greqi ka nisur operimin prej tetorit të vitit 2024 dhe shërben si portë për Ballkanin, duke dërguar gaz drejt Bullgarisë. Dy të tjerë janë hapur në Poloni dhe Lituani. 

Në gjithë këtë kontekst kompanitë amerikane synojnë që të përfitojnë nga politika e jashtme e nisur vitet e fundit. Atlantic SEE LNG ka nënshkruar një marrëveshje 20-vjeçare për të furnizuar Shqipërinë me 1 miliard m³ gaz në vit, gaz i cili fillimisht parashikohet të vijë përmes terminalit të Revithousa në Greqi. 

Po çfarë është kjo kompani?

Atlantic SEE LNG është një kompani greke me aksionerë AKTOR Group që ka 60% të kuotave dhe DEPA Commercial, kompania publike kryesore e furnzimit me gaz në Greqi, e cila zotëron 40% të aksioneve. 

Këto firma premtojnë se fillimisht do të nisin furnizimin me gaz amerikan të Shqipërisë nga porti grek, dhe do të investojnë në ndërtimin e një terminali lundrues në Vlorë për të pritur kontenierët me gaz, impiant rigazifikimi për shndërrimin e gazit të lëngshëm në natyror dhe dhe vënien në punë të Termocentralit të Vlorës.

Por sa e mundur është që Shqipëria të jetë në gjendje për të përdorur 1 miliard becimetër kub gaz nuk vit, kur nuk ka ndërtuar asnjë tubacion për furnizimin me gaz?

Jo më larg se 6 vjet më parë, ishte një tjetër firmë amerikane që shfaqi interes për një projekt të ngjashëm: ndërtimin në Vlorë të një porti lundrues për të shpërndarë gazin në Europë.

Exxon doli në skenë në vitin 2020, ku prezantoi teknologjinë e shpërndarjes së gazit të lëngshëm me kontenierë të lëvizshëm që do të zëvendësonte përkohësisht nevojën për ndërtimin e tubacioneve për shpërndarjen e gazit për konsum familjar. 

Gazi natyror shndërrohet përmes proçeseve kimike në gaz të lëngshëm dhe bëhet lehtësisht i transportueshëm, pa patur nevojë për tubacion. 

Projekti që Exxon Mobil kishte për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Europës ishte shpërndarja në këtë treg e gazit që prodhohet në SHBA, Katar dhe Algjeri.

Exxon Mobil kishte plan të njëjtë, të ndërtonte në Vlorë portin lundurues ku do të mbërrinin kontenierët me gaz të lëngshëm dhe pas ndërtimit të impiantit rigazifikues ta shpërndante në rajon. Projekti parashikonte hyrjen e gazit amerikan në tregun shqiptar dhe përmes lidhjes së tubacionit të TAP me atë kroat Plinacro, të furnizonte Europën Qëndrore. 

Albagaz nënshkroi një marrëveshje me kompaninë Exxon Mobil, e cila sot ka mbetur vetëm në letër. Asgjë nuk është bërë. 

Ka kaluar më shumë se 1 dekadë, që kur Trans Adriatic Pipeline u përzgjodh projekti fitues që do të transmetonte gazin natyror nga fushat e Shah Denizit II të detit Kaspik në Azerbajxhan drejt Europës. Një investim 32 miliardë euro dhe me aksionerë kompani të njohura në fushën e lëndëve djegëse tashmë do të kalonte përmes Shqipërisë.

Shteti i parë pritës i tubacionit TAP është Greqia ku tubacioni kalon në një vijë 550 kilometra, për të mbërritur në tokën shqiptare ku shtrihet në një gjatësi perimetri 215 kilometra, 105 përshkrohen përmes detit Adriatik, e më pas mbërrin në pikën dalëse në Itali. Aty më pas lidhet me degëzimin e SNAM, tubacion i ndërtuar nga kompania publike italiane e cila shopërndan gazin drejt Europës Qëndrore dhe Veriore.

Përzgjedhja e TAP mbi projektin Nabuko apo disa të tjerë që e konkurronin, ishte në fat për vendin tonë. Në qershor të vitit 2013, Trans Adriatic Pipeline u zgjodh projekti fitues i cili do të zbatohej nga konsorciumi i firmave British Petrolem, SNAM, Enagas, Socar, Fluxys dhe AXPO, ndërmarrje gjigande në shpërndarjen e burimeve të energjisë në botë. 

Kalimi i gazsjellësit TAP tashmë do të shënonte një histori të re në përdorimin e burimeve të energjisë për Shqipërinë. Miliona euro projekte dhe masterplane u sponsorizuan nga donatorë të huaj dhe shteti shqiptar për të zhvilluar mundësitë e shfrytëzimit të gazit dhe ndërtimit të infrastrukturës për shpërndarjen e tij.

Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi janë 3 vendet e vetme në Europë që nuk lidhen me sistemin e transmetimit të gazit dhe janë tërësisht të izoluara. Në të shkuarën, vendi ynë kishte një sektor efiçent të prodhimit dhe shpërndajres së gazit, por sot jo më.

Prodhimi i gazit është ulur nga 1 miliard metër kub në vitin 1982, në 0.01 miliard vitet të fundit. Fushat e gazit në Divjakë, Delvinë dhe Frakull janë të vetmet që prodhojnë këtë lëndë dhe rrjeti i brendshëm i transmetimit është jashtë funksionit. Nga 498 kilometra tubacion të shpërndarjes së gazit, i vetmi i operueshëm është ai që lidh fushën gazmbajtëse të Delvinës me rafinerinë e dikurshme të Ballshit. 

Në më shpejt se 1 dekadë, brenda 7 vjetësh, gazsjellësi Trans Adriatik u ndërtua në 878 kilometrat e tij duke patur dhe sfida të mëdha inxhinierike. Pika më e lartë në malet shqiptare ku u vendos tubacioni është 2100 metra mbi nivelin e detit dhe më e ulta është 810 metra në thellësi të ujrave në detin Adriatik. Pavarësisht procesit të komplikuar inxhinierik, në vitin 2020 tubacioni TAP nisi testimin dhe sot është arritur transmetimi i gazit azer drejt Europës.

Në Shqipëri, të gjitha takimet, konferencat, premtimet dhe masterplanet që kushtuan miliona euro kanë mbetur aty ku u thanë. As një metër tubacion transmetimi gazi nuk është ndërtuar Argumenti kryesor që qeveria përdori për ngrirjen e investimeve në infrastrukturën e gazit ishte mungesa e kuotave nga konsorciumi i TAP. Për këtë ia hodhi fajin ish kabinetit Berisha që nuk kishte arritur të negocionte sasitë që i duheshin Shqipërisë.

Por në vitin 2016 Shqipëria arriti që të dakordësonte marrjen e një sasie gazi që shkon nga 0.7 deri në 1.5 miliard metër kub në vit, sasi që do të ishte e mjaftueshme për disa projekte industriale dhe furnizimin e konsumatorëve në trekëndëshin Vlorë – Fier – Berat dhe qyteteve me popullsi të dendur si Tirana dhe Durrësi.

Deri tani përfitimet që do të merrnim nga TAP kanë mbetur po ashtu vetëm në letër. Në një raport të Entit Rregullator të Energjisë thuhet se në të ardhmen tubacioni do të jetë i rëndësishëm jo vetëm ekonomikisht për vendin tonë por do të fuqizojë pozitat rajonale duke e bërë një furnizues kryesor të gazit për pjesën e ballkanit verior. Plani është që në të ardhmen TAP të lidhet me një nyje 170 km nga Fieri për të kaluar në Malin e Zi, Bosnjë – Hercegovinë dhe për të përfunduar në Kroaci, ku do të lidhet me sistemin e transmetimit të gazit Plinacro.

Në 13 vjet, asnjë nga afatet që Shqipëria kishte vendosur për të zhvilluar sektorin e gazit nuk është arritur.  Kërkesat më të shpeshta pranë Entit Rregullator të shoqërisë publike të transmetimit të gazit Albgaz,  janë për shtyrje të afateve, ndërsa vetë qeveria ka ndryshuar disa herë qasjen për zhvillimin e sektorit të gazit dhe burimet nga do të merren sasitë për furnzimin dhe shpërndarjen e vendit dhe rajonit.

Vendi ynë nuk interesohet më për gazin natyror që do të vijë nga Azerbajxhani por gazin e lëngshëm që do të vijë nga SHBA. Strategjia e vetme që nuk ka ndryshuar është dhënia me koncesion e Tec-it të Vlorës, para disa vitesh duke u negociuar me firmën amerikane Excelerate Energy, ndërsa sot me bashkimin e firmave greke Atlantic SEE LNG Trade për të sjellë gaz amerikan.

Ajo që sollën në Shqipëri amerikanët e Excelerate Energy nuk ishte kthimi në gjende pune i Termocentralit, por dy anije prodhimin e energjisë, të cilat kanë një kosto prej 68 milion dollarësh për qiranë dhe operimin në 2 vjet dhe kërkojnë miliona të tjera për lëndën djegëse që të vihen në punë.

Kjo marrëveshje për furnzimin e Shqipërisë me gaz, kur në dera ka gazin natyror të TAP dhe nuk ka asnjë infrastrukturë në rrjet, sjell vetëm një shërbim: Greqia të vazhdojë të jetë pika që furnizon nyje të rëndësishme të Europës me gaz, dhe Shqipëria të rrijë në vend numëro: duke humbur treg, përfitime ekonomike, diversifikim të burimeve të energjisë dhe kosto të ulta për prodhimin e saj. /Emisioni Kronos

ME TE LEXUARAT