AKSK rrëzon pretendimet e hakerave iranianë: S'u prek sistemi jetik shqiptar

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, përmes një njoftimi zyrtar ka rrëzuar pretendimet e “Homeland Justice” për sulm kibernetik të institucioneve shqiptare.
Në njoftim shkruhet se materiali që po qarkullon është komunikim zyrtar i AKSK drejt infrastrukturave kritike të informacionit. Pra, nuk është një komunikim i klasifikuar.
“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) sqaron opinionin publik se pretendimet e publikuara së fundmi mbi një komprometim të institucionit tonë, janë të pavërteta.
Materiali i qarkulluar përbën një komunikim zyrtar të AKSK drejtuar infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, në kuadër të bashkëpunimit institucional, dhe nuk është komunikim i brendshëm.
AKSK vijon të operojë normalisht dhe mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë kibernetike, si dhe në informimin e saktë dhe transparent të publikut.
Për çdo informacion zyrtar, qytetarët dhe mediat ftohen të referohen vetëm në kanalet zyrtare të AKSK“, thuhet në njoftimin zyrtar./Shqiptarja


