Alarm mjedisor në Fier – rrjedhje nafte nga tubacioni ndot përroin e Gorishovës dhe rrezikon lumin Vjosë

Aktualitet

Alarm mjedisor në Fier – rrjedhje nafte nga tubacioni ndot

FIER-Prej pesë ditësh çarja e një tubacioni që bën transmetimin e naftës nga zona naftëmbajtëse e Drenovës drejt qendrës së grumbullimit është çarë për shkak të amortizimit duke bërë që mbetjet hidrokarbure të përfundojnë në përroin e Gorishovës në njësinë administrative Cakran të Fierit.

Ndërkohë sipas banorëve, ndotja disa ditore ka bërë që zona të ketë një aromë mbytëse dhe të mbjellat të jenë dëmtuar rendë.

“Mbetjet e naftës dëmtojnë sidomos ullirin. Prapë do mbjellim gjëra për të ngrënë për vete, perimet, dhe ato i dëmton. Edhe ajri është i ndotur.

Po çfarë t'i bëjmë? S'kemi çfarë t’i bëjmë. Ka një javë rresht që nuk guxon të dalësh nga shtëpia, sidomos në mëngjes, nuk hap dot dritaret.

Kjo është hera e pare! Edhe bima ka problem nga nafta. Kafshët sepse pinë ujë në Vjosë. Afër zonës ku ka ndodh defekti është dhe uji i pijshëm”, thanë banorët.

Ky ujë i ndotur me ngjyrë të errët dhe erë të fortë nafte përshkon disa fshatra dhe përfundon në lumin Vjosë, Park Kombëtar.

“Kompania nuk mban përgjegjësi. S'ka shtet themi ne, se Vjosa është shpallur park kombëtar apo jo? Atëhere çfarë parku eshte ky?!”, shprehet I revoltuar nje tjeter banor.

Në zonën naftëmbajtëse të Drenovës janë 20 puse aktivë. Punonjësit e kompanisë “Alpetrol” vetem sot kanë marrë masa duke vendosur prita në mënyrë që mbetjet hidrokarbure të mos vazhdojne te depërtojnë në lumin Vjose.

Aktualisht ata janë duke punuar në terren për të mbledhur mbetjet hidrokarbure me makineritë e tyre pikërisht në fund të Përroit të Gorishovës, në vendin e quajtur Selishtë.

ME TE LEXUARAT