Aeroporti ndërkombëtar i Tiranës mirëpret linjat e reja të Ryanair drejt Liverpool dhe Dublin

Tiranë, 2026 – Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka kënaqësinë të njoftojë nisjen e operimeve të dy destinacioneve të reja nga Ryanair, që lidhin Tiranën me Liverpool dhe Dublin, duke zgjeruar më tej rrjetin në rritje të destinacioneve të aeroportit.
Të dyja linjat do të operohen dy herë në javë, duke ofruar më shumë fleksibilitet dhe lidhje të përmirësuara me qytete të rëndësishme evropiane.
Çelja e këtyre dy destinacioneve u shënua me evente të dedikuara në aeroport, ku morën pjesë përfaqësues të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, përfaqësues të Ryanair dhe pasagjerë, duke festuar këtë moment të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve ajrore dhe mundësive të udhëtimit.

Shtimi i destinacioneve Liverpool dhe Dublin rrit aksesin drejt tregjeve të rëndësishme, duke ofruar më shumë zgjedhje për pasagjerët, frekuenca të shtuara dhe tarifa konkurruese. Këto linja kontribuojnë gjithashtu në rritjen e vazhdueshme të udhëtimeve hyrëse dhe dalëse, duke mbështetur turizmin dhe zhvillimin ekonomik.
Znj. Manjola Kaso, Drejtoreshë e Zhvillimit të Biznesit të Aviacionit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, u shpreh:

“Çelja e sezonit veror 2026 sjell dy destinacione të reja drejt Liverpool dhe Dublin.
Liverpool shënon një hap tjetër të rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit tonë dhe forcimin e lidhjeve ajrore me Mbretërinë e Bashkuar, një nga tregjet kryesore të TIA-s me shumë rëndësi për turizmin, por edhe për mbështetjen e diasporës së konsiderueshme nga Shqipëria dhe rajoni.
Dublini është lidhja jonë e parë me Irlandën, duke shënuar kështu hapjen e një tregu krejtësisht të ri.
Dy destinacionet reflektojnë kërkesën në rritje për udhëtime dhe partneritetin e fortë që po ndërtojmë me Ryanair.”
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me partnerët ajrorë për të zgjeruar rrjetin e destinacioneve dhe për të ofruar më shumë mundësi udhëtimi për pasagjerët, duke ruajtur standarde të larta operacionale dhe një eksperiencë të përmirësuar për udhëtarët.