Sondazhi: Amerikanët të pakënaqur me luftën

Pakënaqësia e amerikanëve ndaj luftës në Iran po arrin kulmin. Një sondazh i fundit i agjencisë së lajmeve Reuters tregon se shumica dërrmuese e qytetarëve kanë një vështrim të zymtë mbi konfliktin. Shqetësimi kryesor mbetet siguria e personelit ushtarak, por edhe pasojat negative ekonomike që po shkakton kriza në Lindjen e Mesme.
Pas fjalimit të presidentit Trump, ku ai kërcënoi se do ta kthejë Iranin në “Epokën e Gurit”, çmimet e naftës bruto në SHBA shpërthyen menjëherë. Ekspertët parashikojnë se karburanti do të arrijë deri në 4.45 dollarë për gallon javën e ardhshme.
Kjo ka bërë që më tepër se gjysma e amerikanëve, 56%, të kenë një perspektivë negative për financat e tyre personale dhe cilësinë e jetës.
Po ashtu, mbi ¾ e amerikanëve kundërshtojnë dërgimin e trupave tokësore në Iran. Megjithëse zyrtarët e Pentagonit konfirmojnë se ky opsion është mbi tavolinë, amerikanët e konsiderojnë këtë si një rrezik për një luftë të pafundme dhe të kushtueshme.
Frika se Teherani mund të mbajë nën “darë” furnizimet globale të energjisë përmes bllokimit të Ngushticës së Hormuzit e ka kthyer këtë luftë në një ankth të vërtetë strategjik për Uashingtonin dhe mbarë opinionin publik në SHBA.


