Kodet sekrete, kriptovalutat dhe juani kinez/ Cilat anije kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit?

Bota

Kodet sekrete, kriptovalutat dhe juani kinez/ Cilat anije kalojnë

Sipas disa zërave jozyrtarë, Komiteti për Sigurinë Kombëtare i Iranit po përgatitet të vendosë “taksa” deri në 2 milionë dollarë për transitin në Ngushticën e Hormuzit, pas miratimit të projektligjit përkatës.

Siç raporton Bloomberg, Irani po krijon një sistem klasifikimi për vendet që konsiderohen mike dhe që kanë më shumë gjasa që anijet e tyre të kalojnë nëpër Ngushticë.

Për tankerët e naftës, çmimi fillestar në negociata zakonisht është rreth 1 dollar për fuçi, i paguar në juan ose në stablecoin, pra kriptomonedha vlera e të cilave është e lidhur me një valutë të fortë.

Kështu, duke pasur parasysh se një tanker i madh, ose VLCC (Very Large Crude Carrier), ka zakonisht një kapacitet prej rreth 2 milionë fuçish, “tarifa” mund të arrijë deri në 2 milionë dollarë.

Pasi paguhet pagesa e kalimit, Gardat Revolucionare lëshojnë një kod autorizimi dhe udhëzime për itinerarin.

Anijet duhet të mbajnë flamurin e shtetit që ka negociuar marrëveshjet e tranzitit dhe, në disa raste, të ndryshojnë regjistrimin e tyre zyrtar me atë të atij vendi. Duke iu afruar Ngushticës së Hormuzit, anija transmeton kodin e saj të hyrjes përmes radios VHF dhe shoqërohet nga një mjet patrullimi që e udhëheq gjatë kalimit, pranë bregdetit midis një grupi ishujsh që tashmë nga ekspertët është quajtur “postë pagese iraniane”.

Të dhënat e gjurmimit të anijeve tregojnë se kalimet nëpër Ngushticën e Hormuzit janë rritur lehtë javën e fundit, megjithëse përbëjnë vetëm një pjesë të niveleve para luftës.

Bllokim vetëm për shtetet armike

Këtë muaj, në një letër drejtuar Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), organi rregullator global i transportit detar, Irani ka deklaruar se anijet e lidhura me shtete jo armiqësore mund të kalojnë në mënyrë të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit. Ai shtoi gjithashtu se vendos kufizime për ato që i konsideron armiqësore.

“Si shtet bregdetar që shtrihet përgjatë Ngushticës, Republika Islamike e Iranit, duke respektuar plotësisht parimet dhe normat e konsoliduara të së drejtës ndërkombëtare, ka kufizuar kalimin e anijeve që i përkasin agresorëve ose që janë të lidhura me ta”, thuhet në letër.

“Arsyetimi iranian është se kjo është një ushtrim i së drejtës së tyre për vetëmbrojtje dhe, për këtë arsye, ata duhet të inspektojnë anijet. Dhe për t’i inspektuar këto anije, ato duhet të paguajnë një tarifë”, tha Jason Chuah, profesor i së drejtës tregtare dhe detare në City University të Londrës. “Megjithatë, nga këndvështrimi i shumicës së ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, kjo nuk është e ligjshme.”

Pronarët e anijeve dhe operatorët detarë po përballen me çështje të ndërlikuara ligjore që lidhen me detyrimin për pagesën e tarifave, zbatimin e rregullave, sanksioneve dhe konventave nga Shtetet e Bashkuara dhe Irani, si dhe me mbulimin e sigurimeve.

“Besoj se lufta me Iranin ka ngritur shumë sfida dhe pikëpyetje mbi të drejtën ndërkombëtare, ndoshta edhe sepse të dyja palët duket se janë përfshirë në veprime që, për ta thënë butë, janë jashtëzakonisht të diskutueshme sipas së drejtës ndërkombëtare ose normave të vendosura”, tha Chuah.

Disa anije janë goditur nga raketa ndërsa ndodheshin në ankorim në Gjirin Persik ose në ngushticë./Lajmi i Fundit

ME TE LEXUARAT