AKU i bllokon 4 ton produkte bimore mjekut popullor, Ylli Merja

Aktualitet

AKU i bllokon 4 ton produkte bimore mjekut popullor, Ylli Merja

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njofton se ka zbuluar dhe bllokuar në ambientet e një magazine të subjektit “Merja”, një sasi prej 3984 kg produkte të miksuara bimësh të thata, të ambalazhuara në thasë plastikë, por pa etiketë, pa informacion mbi afatin e përdorimit, origjinën dhe përbërjen e tyre.

Për këto shkelje, trupa inspektuese ka marrë masën e menjëhershme të bllokimit të produkteve në ambientet e magazinës.

Ndërkohë, subjektit i është vendosur gjobë prej 200,000 lekësh për shkelje të kërkesave të gjurmueshmërisë.

Gjithashtu, nga verifikimi i dokumentacionit ka rezultuar se mungonte sistemi i vetkontrollit gjatë procesit të miksimit, duke shkelur ligjin në fuqi. Për këtë mangësi, “Merja” është gjobitur me 100,000 lekë të tjera.

Njoftimi i AKU-së:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në kuadër të transparencës njofton se, referuar një denoncimi të ardhur, ka kryer kontroll në subjektin “Merja”, me adresë në lagjen Shkozë, Tiranë, ku nga inspektimi i kryer në ambientet e magazinës së subjektit, u konstatuan një sasi prej 3984 kg produkte të miksuara (miksime bimësh të thata) të ambalazhuara në thasë plastikë, por të paetiketuara, pa informacion mbi afatin e përdorimit, origjinën apo emërtimin e përbërjes.

​Mbi këto gjetje trupa inspektuese mori masën e menjëhershme të bllokimit të kësaj sasie në ambientet e magazinës si dhe për veprime, në kundërshtim me kërkesat e gjurmueshmërisë, ndaj subjektit u mor masa administrative “Gjobë” në vlerën 200,000 (dyqind mijë) lekë. Gjithashtu nga verifikimi i dokumentacionit ka rezultuar se mungonte implementimi i sistemit te vetkontrollit (skedat e monitorimit gjatë procesit të miksimit) veprime në kundërshtim me parashikimet ligjore, për këtë mangësi u mor masa administrative “Gjobë” në vlerën 100,000 (njëqind mijë) lekë.

​Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mbetet i angazhuar në terren për të ndaluar çdo praktikë që cenon sigurinë e produkteve ushqimore dhe fton qytetarët të vijojnë të denoncojnë çdo parregullsi në e-mailin zyrtar [email protected] ose në numrin e gjelbër 08007575.

ME TE LEXUARAT