Ekuipazhi i Artemis II kap imazhet e para të Tokës nga hapësira

NASA ka ndarë imazhet e para me rezolucion të lartë të Tokës, të cilat u kapën nga ekuipazhi i Artemis II.
Komandanti i misionit, Reid Wiseman, ka realizuar këto imazhe “spektakolare”, tha NASA, pasi ekuipazhi përfundoi një djegie të fundit të motorit që i vendosi në një trajektore drejt fqinjit tonë më të afërt qiellor.

Imazhi i parë, i quajtur Hello, World, tregon hapësirën e gjerë të oqeanit Atlantik, të rrethuar nga një shkëlqim i atmosferës ndërsa Toka e zëvendëson Diellin dhe aurorat jeshile shfaqen në të dy polet.
Toka duket e përmbysur, me Saharën Perëndimore dhe Gadishullin Iberik të dukshëm në të majtë dhe pjesën lindore të Amerikës së Jugut në të djathtë.

NASA ka identifikuar planetin e ndritshëm në këndin e poshtëm të djathtë si Venus. Imazhet u morën pasi ekuipazhi përfundoi me sukses djegien e injeksionit trans-hënor në orët e hershme të së premtes.

Kjo djegie e nxori anijen Orion nga orbita e Tokës, ndërsa katër astronautët synojnë të udhëtojnë mbi 200,000 milje drejt Hënës.
Artemis II ndodhet tani në një rrugë që do të çojë ekuipazhin rreth anës së largët të Hënës dhe do ti kthej sërisht mbrapsht. Kjo është hera e parë që nga viti 1972 që njerëzit kanë udhëtuar jashtë orbitës së Tokës.
Anija u nis nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida, dhe ekuipazhi pritet të kalojë rreth anës së largët të Hënës më 6 prill dhe të kthehet në Tokë më 10 prill, me ulje në Oqeanin Paqësor.
Një tjetër pamje e kapur nga Wiseman tregon Tokën të ndarë nga dita dhe nata. Ky kufi midis dritës dhe errësirës njihet si terminatori.
Më vonë, Nasa publikoi një tjetër imazh që tregon Tokën në errësirë pothuajse të plotë, me dritat elektrike të njerëzimit që shkëlqejnë natën.
Gjithashtu, ata krijuan një krahasim ballë për ballë midis pamjes së Tokës në 2026 dhe një të ngjashme të kapur nga ekipi i Apollo 17 në vitin 1972, hera e fundit që njerëzit kanë shkelur në Hënë.
“Kemi arritur shumë gjatë 54 viteve të fundit, por një gjë nuk ka ndryshuar: shtëpia jonë duket mahnitëse nga hapësira!” shkruan NASA.


