Tha se u plagos në punë, emigranti afrikan në Shkodër ndryshon dëshminë para policisë

Një aksident i rëndë pune në zonën industriale të Shkodrës ka nxjerrë në dritë aktivitetin e paligjshëm të një fabrike kompostesh, ku mbeti i plagosur rëndë një afrikan.

Fillimisht, i dëmtuari, i cili luan edhe si futbollist për KF Shiroka, tentoi të fshihte ngjarjen duke deklaruar se ishte lënduar aksidentalisht në hotel. Megjithatë, pas publikimit të një fotoje amatore që e shfaqte atë duke dalë i gjakosur nga fabrika, ai pranoi se plaga ishte shkaktuar gjatë procesit të punës.
Shtetasi i huaj ka pësuar prerje të thella në gjymtyrë dhe i është nënshtruar një operacioni urgjent në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Hetimet paraprake zbuluan se ai punonte prej kohësh në këtë subjekt që operonte në të zezë , pranë shkollës “Arben Broci.
Policia e Shkodrës ka nisur tashmë një hetim të thelluar për këtë ngjarje, duke u fokusuar te kushtet skandaloze të sigurisë dhe paligjshmëria e biznesit. Ndërsa deklarata e parë e rreme u hodh poshtë, autoritetet po punojnë për të zbardhur përgjegjësinë e pronarëve të fabrikës.


