Konflikti SHBA-Iran/ A do të lejojë Shqipëria që Amerika të përdorë bazën e Kuçovës? Përgjigjet ministri i Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se në mbledhjen e qeverisë janë miratuar katër akte që lidhen me këtë dikaster, ku dy prej tyre kanë të bëjnë drejtpërdrejt me Forcat e Armatosura dhe angazhimin e tyre në misione ushtarake ndërkombëtare.
Ai theksoi se pjesëmarrja e trupave shqiptare në këto misione dëshmon jo vetëm nivelin e përgatitjes së efektivëve, si në aspektin ushtarak ashtu edhe në atë civil, por edhe rolin aktiv të Shqipërisë në operacionet e përbashkëta ndërkombëtare.
Ministri u ndal edhe te dy vendime të tjera të Këshillit të Ministrave, të cilat lidhen me autorizimin e shoqërisë “KAYO” për të negociuar dhe lidhur marrëveshje me dy kompani, me synim krijimin e mjeteve lundruese dhe dronëve.
Ermal Nufi: Sot miratuam katër akte që lidhen me ministrinë e Mbrojtjes, dy prej tyre lidhen specifikisht me forcat e armatosura dhe pjesëmarrjen e tyre në misione ushtarake ndërkombëtare. Pjesëmarrja e forcave tona në këto misione tregon jo vetëm përgatitjen që kanë efektivët tanë si nga ana ushtarake edhe nga ana civile, por gjithashtu tregon edhe faktin që ne jemi aktorë aktivë në të gjithë ndërmarrjet e përbashkëta në misionet e huaja dhe tregon që kjo pjesëmarrje kthehet në Republikë duke sjellë njohuritë e përfituara nga kryerja e operacioneve komplekse dhe në shkallë botërore. E dyta janë dy VKM që janë miratuar për autorizimin e shoqërisë “Kayo” për të negociuar për të lidhur marrëveshje me dy kompani për krijimin e mjeteve lundruese në Shqipëri dhe mjeteve fluturuese pa pilot, pra dronët luftarakë. Këto dy vendimet të Këshillit të Ministrave janë domethënëse. Është hera e parë që në Shqipëri pas kaq kohësh po krijohet mundësia për prodhimin e mjeteve lundruse. Kjo na bën krenarë.
I pyetur në lidhje me konfliktin SHBA–Iran dhe nëse Shqipëria do të ishte e gatshme të lejonte përdorimin e bazës së Kuçovës nga SHBA, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, u shpreh se një vendim i tillë mbetet për t’u vlerësuar në varësi të zhvillimeve.
Ai theksoi se Shqipëria gëzon një marrëdhënie strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por shtoi se mbetet për t’u parë nëse një kërkesë e tillë do të paraqitet nga pala amerikane.
Ermal Nufi: Mbetet për tu vlerësuar nëse një kërkesë e tillë do të vijë. Shqipëria ka një marrëdhënie strategjike me SHBA-në. Mbetet për t’u vlerësuar dhe për t’u parë nëse një kërkesë e tillë do të vijë zyrtarisht nga pala amerikane. Baza e Kuçovës është bazë e NATO-s dhe e gjithë vendimarrja që lidhet me këtë pyetje lidhet me angazhimin e Shqipërisë në aleancë.


