Apeli i GJKKO pret Kushtetuesen, shtyhet vendimarrja për pezulllimin nga detyra të Ballukut

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka vendosur sot që për masën e pezullimit nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku të presë vendimin që do të marrë Gjykata Kushtetuese më 22 janar në shqyrtim themeli pas ankesës së Kryeministrisë dhe më pas të shprehet në varësi të tij.
Por GJKKO e shkallës së dytë ka lënë në fuqi masat e kërkuara nga SPAK, për bllokim pasaporte dhe ndalim i daljes jashtë vendit për zyrtaren e lartë, që akuzohet për tenderin e tunelit të Llogarasë dhe Unazën e Madhe.
Gazetarja Klodiana Lala informon se sipas avokatit të Ballukut, Ardian Kalija, njoftohet se GJKKO ka lënë në fuqi masën për të dalë jashtë vendit dhe bllokimin e pasaportës. Kurse për masën e pezullimit nga detyra, Gjykata e Posaçme ka vendosur ta pezullojë shqyrtimin e kësaj pike, derisa të shprehet Kushtetuesja më 22 janar në themel.
Nëse Kushtetuesja do vendosë se një ministër mund të pezullohet, atëherë Gjykata do mblidhet përsëri për ta shqyrtuar këtë pikë të pezullimit nga detyra.
Për momentin Apeli i GJKKO nuk mund të marrë asnjë vendim për çështje që janë në shqyrtim nga Kushtetuesja. Por ka cilësuar të drejtë masën e ndalimit për të dalë jashtë vendit dhe bllokimin e pasaportës.
Balluku ka si avokate edhe motrën e saj, Pamela Qirko, ish anëtare e KPK-së së Vettingut.
Kushtetuesja ka marrë vendim 5 me 3 në votimin për kërkesën e Këshillit të Ministrave, duke rikthyer përkohësisht në detyrë Belinda Ballukun dhe të pezullojë pezullimin nga GJKKO dhe SPAK deri më 22 jnar, kur të shqyrtohet çështja në themel.
SPAK aktualisht kërkon nga Kuvendi heqjen e imunitetit të Ballukut që e çon drejt arrestimit zv/kryeministren, pasi ka prova se ka intimiduar persona që janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme për çështjen.


