Apeli i GJKKO-së liron nga qelia biznesmenin Ervis Lami, merrte tendera nga ARRSH

Apeli i GJKKO-së ka vendosur lirimin nga paraburgimi të biznesmenit Ervis Lami, i cili është pjesë e dosjes së Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), ku janë të përfshirë edhe ish-zyrtarë dhe persona të tjerë të akuzuar për korrupsion dhe shkelje në tendera.
Sipas vendimit të shpallur, gjykata ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të butë, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Lamit, nëse nuk ka ndonjë pengesë tjetër ligjore.
Ervis Lami akuzohet nga SPAK për disa vepra penale, përfshirë shkelje të barazisë në tendera, korrupsion pasiv, mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikim dokumentesh. Në dosje ai konsiderohet si pronar fiktiv i kompanisë “DAAM shpk”, e cila dyshohet se lidhej me ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi, i akuzuar si përfitues real i tenderave të dhënë.
SPAK kishte kërkuar më herët që Lami të dënohej me 4 vite shërbim prove, pasi kishte fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë në hetim. Vendimi i Apelit të GJKKO-së mund të ankimohet në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve.


