Hita “shkund” Policinë në Korçë e Elbasan: Punë e pamjaftueshme, luftë pa kompromis ndaj krimit dhe paligjshmërive

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi sot takime me strukturat e drejtorive vendore të Policisë në Korçë dhe Elbasan, si edhe me ato të Kufirit dhe Migracionit në Korçë, ku kërkoi rritje të menjëhershme të performancës dhe luftë pa kompromis ndaj paligjshmërive.
Gjatë analizës së punës, Hita vlerësoi se në të dy qarqet është bërë punë e pamjaftueshme në drejtim të parandalimit dhe goditjes së armëmbajtjes pa leje, shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe kapjes së personave në kërkim. Ai kërkoi angazhim maksimal edhe për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, krimeve mjedisore dhe zbardhjen e ngjarjeve kriminale të mëparshme, përmes inteligjencës kriminale.
Po ashtu, kreu i Policisë theksoi nevojën për përmirësimin e shërbimit rrugor, përdorimin e teknologjisë, shmangien e ndalimeve pa shkak në akset kombëtare dhe ndëshkimin e parkimeve të gabuara që pengojnë qarkullimin apo bëhen burim aksidentesh.
Në fokus të takimeve ishte edhe siguria në shkolla, reagimi profesional ndaj çdo ngjarjeje, si dhe trajtimi në kohë i shqetësimeve të qytetarëve.
Sa i përket Policisë Kufitare, Hita tha se puna ka qenë e pamjaftueshme në parandalimin e krimeve ndërkufitare, trafiqeve dhe ndihmës ndaj emigrantëve të paligjshëm që përdorin Shqipërinë si vend transit drejt Bashkimit Europian. Ai kërkoi gjithashtu rritje të cilësisë së shërbimit në pikat kufitare, si kontakti i parë i qytetarëve dhe turistëve me vendin.


