"Është e sajuar", Gjokutaj për çështjen “Partizani”: Dyshoj se Balla ka konsumuar elementë të kallëzimit të rremë

Genc Gjokutaj, avokati i Sali Berishës, ka deklaruar pas dëshmisë së deputetit Taulant Balla në GJKKO se procesi për çështjen “Partizani” është i sajuar dhe i pabazuar në fakte.
Sipas tij, Balla gjatë dëshmisë së tij nuk ka qenë i qartë për akuzat e ngritura në kallëzim, duke u referuar shpesh mediave dhe duke mos mbajtur mend pjesë të rëndësishme të deklarimeve të tij. Gjokutaj shtoi se ka dyshime për elementë të kallëzimit të rremë dhe se, sipas tij, çështja nuk mbështetet në fakt penal.
Ai kritikoi gjithashtu SPAK-un dhe e cilësoi procesin si të stisur, duke e quajtur “tablo të një procesi fals”.
Sa i përket thirrjes së kryeministrit Edi Rama si dëshmitar, Gjokutaj u shpreh se ky është një vendim i gjykatës dhe se Rama është i detyruar të paraqitet, pasi nuk është në diskrecionin e tij nëse do të marrë pjesë apo jo në seancë.
"Është drejtësi që dëgjon 4 orë e gjysmë një dëshmitar, i cili 50% të dëshmisë nuk e mbante mend dhe 50% i referohej mediave. Balla nuk dinte çfarë akuzash ka bërë në kallëzim. Thonte korrupsion ndërkohë që e ka bërë kallëzimin për shpërdorim detyre. Është çështje e sajuar dhe sot pas dëshmisë kam dyshime të forta që jo vetëm që ka konsumuar elementë të kallëzimit të rremë, por do edhe pak hetim dhe bën vaki edhe mos ta ketë bërë vetë kallëzimin. SPAK e mori ditën e punës për sot. Sipari i një procesi fals do kishte këtë figurë dhe këtë tablo. Çështja nuk ka fakt penal. Ky është vendim gjykate, ne e kemi kërkuar ata e pranuan. Mendoj që Rama nuk ka luajtur mendsh të mos vijë në gjykatë. Nuk është në diskreticionin e tij të vijë apo jo”, tha ai.


