Arrestohet në Sarandë / I dënuari nga GJKKO ngiste makinën i dehur dhe s'iu bind policisë (EMRI)

Një person i dënuar më parë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) me 2 vite burg për korrupsion është arrestuar nga Policia në Sarandë, pasi dyshohet se ka drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 6 shtatorit në Ksamil. Sipas të dhënave të bëra publike, Nefail Zyko është konstatuar në drejtimin e një automjeti tip “Jeep”, me targa të huaja, i cili ishte parkuar mbi trotuar, pranë një shtylle ndriçimi.
Punonjësit e Policisë janë afruar për të kërkuar dokumentet e identifikimit të personave që ndodheshin në automjet, por ata nuk i janë bindur kërkesës. Në vijim, drejtuesi i automjetit dyshohet se ka tentuar të lëvizë makinën, ndërsa efektivët kanë ndërhyrë për ta ndaluar.
Sipas raportit të shërbimit, Zyko më pas ka kaluar në vendin e pasagjerit, ndërsa një tjetër person, i identifikuar me inicialet A.H., ka marrë drejtimin e automjetit dhe e ka zhvendosur atë në vendin ku ishte parkuar fillimisht.
Për shkak të mosbindjes ndaj urdhrave të Policisë, të dy personat janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë.
Në komisariat, Nefail Zyko i është nënshtruar testit të alkoolit. Sipas dokumentacionit të çështjes, testi i parë ka rezultuar në masën 0.65 mg/l, ndërsa testi i dytë 0.54 mg/l.
Nga verifikimet e kryera nga Prokuroria rezultoi se Zyko ishte duke vuajtur një dënim me burgim në IEVP Rrogozhinë. Ai ishte dënuar me vendimin nr. 7, datë 25 janar 2025, të GJKKO-së, me 2 vite burg për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Sipas dokumentacionit zyrtar, Zyko kishte përfituar një leje shpërblyese nga ora 11:30 e datës 4 shtator deri në orën 11:30 të datës 11 shtator 2026.
Pas ngjarjes, Gjykata e Sarandës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit “Arrest në burg”.
Zyko dyshohet për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Vendimi i gjykatës për masën e sigurimit nuk përbën deklarim fajësie për veprat e reja penale, pasi përgjegjësia përfundimtare përcaktohet vetëm me një vendim gjyqësor të formës së prerë.


