Asnjë qindarkë shtetit për 20 vjet, Prokuroria e Fierit: 14 masa sigurie për “Bankers Petroleum”

Aktualitet

Asnjë qindarkë shtetit për 20 vjet, Prokuroria e Fierit: 14 masa

Prokuroria e Fierit ka dhënë një njoftim zyrtar në lidhje me hetimin ndaj kompanisë “Bankers Petroleum” ku të mërkurën e 2 korrikut u arrestua drejtori aktual i kompanisë, Hongping Shiao, shtetas kinez si dhe ish-drejtori Leonidha Çobo.

Organi i akuzës ka lëshuar në total 14 masa sigurimi, nga ku janë ekzekutuar deri më tani nëntë prej tyre. Përveç Shiao-s dhe Çobos, masat e sigurisë, me karakter shtrëngues, janë ekzekutuar edhe ndaj L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I dhe E.A, të cilët kanë pozicione drejtuese në kompani.

Ndërsa pesë personat e shpallur në kërkim janë kryesisht të huaj.

“Ndërhyrja në këtë fazë të hetimit, lidhet me rrezikun e prishjes së provave, ndërprerjen e mëtejshme të aktivitetit kriminal dhe shmangien e rrezikut të ikjes”, njoftoi prokuroria.

Hetimi ndaj “Bankers”

Hetimet kanë nisur më 30 dhjetor të vitit të kaluar, pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor. Gjatë këtyre muajve, prokuroria thotë se në bashkëpunim të ngushtë me “Tatimet” kanë grumbulluar prova të mjaftueshme, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë kryer disa vepra penale.

Nga hetimi rezulton se “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier.

Ndërkohë shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. 

“Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të TVSH-së, është në miliona euro”, njoftoi prokuroria.

Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje.

Më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmjet skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme. 

“Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë”, njoftoi prokuroria.

Ndërkohë hetimet vijojnë pasi dyshohen disa skema të ndryshme mashtrimi për TVSH-në dhe pastrim parash, ku sipas prokurorisë së Fierit mendohet se “janë të implikuar dhe shumë individë dhe kompani të tjera”

Veprat penale që po hetohen

Janë pesë vepra penale që po hetohen pas dyshimeve se janë kryer nga “Bankers Petroleum”.

Bëhet fjalë për:

“Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”

“Fshehja e të ardhurave”

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”

“Shpërdorimi i detyrës”

“Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”

 

ME TE LEXUARAT