Autorët i shkuan në lokal, Rexhep Ismaili i qëlloi me kallash, të rinjtë e goditën me plumb në kokë

Detaje të reja kanë dalë në dritë pas ngjarjes së rëndë të së enjtes në Sarandë ku mbeti i vrarë me armë biznesmeni 66-vjeçar Rexhep Ismaili.
Një grup prej 5-6 të rinjsh ka shkuar në orën 21:30 në lokalin e tij, i cili ndodhet pranë karburantit që ka në pronësi. Personat që shkuan aty, kishin konflikt me një banor të fshatit Gjashtë, për çështje pronësie.
Në momentin që agresorët mbërritën në vendngjarje, shënjestra e tyre ndodhej në një tavolinë në verandën e lokalit me 66-vjeçarin Ismaili dhe 3 persona të tjerë.
Menjëherë mes palëve ka nisur një debat verbal dhe më pas fizik me sende të forta.
Burimet bënë të ditur se Rexhep Ismaili është futur brenda lokalit dhe ka dalë me një “Kallashnikov” duke hapur zjarr disa herë ndaj të rinjve. Këta të fundit janë kundërpërgjigjur me pistoletë, e një prej tyre, Lulëzim Tabaku ka qëlluar një herë me plumb në kokë Ismailin, i cili ka mbetur i vdekur në vend.
Tabaku më pas është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë.
Policia dyshon se nga pala e autorëve të dyshuar, ka edhe një të plagosur, i cili nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore në spital dhe nuk është identifikuar.
Deri më tani për krimin janë shoqëruar 5 persona e po ashtu janë siguruar pamje nga kamerat e sigurisë.
Njëkohësisht, po ushtrohen kontrolle në spitalet rajonale dhe në klinikat private, me qëllim identifikimin dhe gjetjen e shtetasit të dyshuar të plagosur.


