Bordi rriti çmimin e naftës me 224 lekë, reagon Konfindustria: Rishikoni politikën fiskale të karburanteve

Pasi çmimi i naftës u rrit në 224 lekë, Konfindustria i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të ndërhyjë urgjentisht në tregun e karburanteve, duke kërkuar rishikim të plotë të politikave fiskale dhe rregullatore.
Konfindustria thoë se ‘Shqipëria është shteti i vetëm në rajon, që nuk ka ndërmarrë asnjë masë të prekshme lehtësuese për krizën e karburanteve’, ndërsa shton se ‘ndërhyrja me ulje 20% të vlerës së akcizës vetëm, kur çmimi i naftës do të arrijë në 220 lekë/litër është i pamjaftueshëm dhe i pakuptimtë‘.
Vlerësimet tregojnë se një rritje me 30% e çmimit të karburanteve mund të çojë në inflacion mbi 6% dhe ulje të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 2.8–3%.
Njoftimi plotë:
Konfindustria, duke vlerësuar pasojat e rënda ekonomike në përkeqësim dramatik të luftës në Gjirin Persik, i kërkon ekzekutivit të veprojë pa vonesë në rishikim të plotë të politikës fiskale dhe rregullatore të tashme në tregun e karburanteve. Vlerësimet e modelit ekonomik shqiptar tregojnë, që rritja me 30% e çmimit të derisotëm të karburanteve krijon inflacion me të paktën 6% dhe një rënie të PPB me 2,8-3%. Sa më sipër krijon qartësisht rrezikun për kalimin në recesion ekonomik gjatë periudhës 2026 në vazhdim. Së pari, kërkohet ulja e barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat vjetore të automjeteve të paktën në mesataren e sotme të shteteve të Rajonit.
Shqipëria është shteti i vetëm në rajon, që nuk ka ndërmarrë asnjë masë të prekshme lehtësuese për krizën e karburanteve. Ndërhyrja me ulje 20% të vlerës së akcizës vetëm, kur çmimi i naftës do të arrijë në 220 lekë/litër është i pamjaftueshëm dhe i pakuptimtë. Thellimi i diferencës në kostot e karburanteve me shtetet konkurente tregëtare të Rajonit e më gjerë në kushtet e krizës, shton ndjeshëm rrezikun e falimentimeve për industritë, prodhimin vendor, bizneset si dhe goditje inflacioniste të shumëfishtë për qytetarët.
Së dyti, të fillojë procesi i shndërrimit të Bordit të Transparencës në Ent Rregullator të Karburanteve si institucion i përhershëm profesional kundër spekullimeve në tregun kartel të sotëm. Së treti, Konfindustria mbështet propozimin për krijimin e një operatori me kapital shtetëror në tregun me shumicë dhe pakicë të karburanteve.
Tregu strategjik i karburanteve me një qarkullim real vjetor prej pothuaj 2 miliard dollarë dhe kap afër 10% të PPB.


