Berisha për procesin e integrimit: 9 vende të BE-së po bllokojnë Shqipërinë

Sali Berisha deklaroi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian po përballet me pengesa serioze, duke pretenduar se aktualisht janë nëntë vende anëtare që po bllokojnë avancimin e vendit.
Duke folur nga protesta para Kryeministrisë, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk po u tregon të vërtetën qytetarëve për situatën reale të negociatave. Sipas tij, qeveria po paraqet një realitet të rremë për përparimin drejt BE-së, ndërkohë që procesi është në stagnim.
Berisha theksoi se vetëm pak javë më parë ishin katër vende që bllokonin një raport kyç për ecurinë e negociatave, ndërsa tani numri ka arritur në nëntë, duke paralajmëruar se mund të rritet edhe më tej. “Integrimi me Edi Ramën ka qenë dhe mbetet një horizont i pakapshëm”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, lideri i opozitës hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, duke pretenduar se Rama po vepron për interesa personale dhe po dëmton imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ai shtoi se, sipas tij, sa më shumë të njihet qeveria aktuale nga partnerët ndërkombëtarë, aq më shumë rritet mosbesimi ndaj saj.
Deklaratat e Berishës vijnë në një moment të ndjeshëm për procesin e integrimit, ndërsa autoritetet shqiptare vijojnë të theksojnë se vendi po bën progres në përmbushjen e kushteve për anëtarësim në BE.


