Buka e zezë dhe integrale ngjyrosin ujin, nga eksperimenti i thjeshtë tek vëzhgimi në furrat e bukës

Aktualitet

Buka e zezë dhe integrale ngjyrosin ujin, nga eksperimenti i thjeshtë

Ne realizuam një hulumtim që përfshin nga elementët më bazikë, tek ato më të komplikuar. Fillimisht, iu drejtuam terrenit për të bërë blerje të rastësishme si çdo qytetar normal.

‘Më e keqja është se kur flasim për sigurinë ushqimore asnjë nuk shpëton. Edhe ata që kanë atë detyrë fëmijët e tyre hanë po atë pastë po atë akullore, pinë po atë ujë, thithin po atë ajër, por për momentin nuk e kemi atë ndërgjegjshmëri profesionale do të thosha pa u futur në korrupsion apo përfitime të tjera. Është thjesht, jemi akoma të varfër nga pikëpamja kulturore çfarë hamë’, u shpreh Sokol Abazi, kimist.

Buka masive, është më e përdorura në tryezat tona. Faktori i parë i dukshëm që mund të kryhet lehtësisht nga secili prej nesh është pesha. Buka peshonte 800 gramë, nga 1 kilogramë që duhet të jetë. Pra, qytetari grabitet në 20 % të sasisë. Të gjitha llojet e bukëve të tjera e kanë të detyrueshme që të kenë të shënuar në ambalazhin e tyre përbërësit duke përfshirë edhe peshën por kjo mungon.

AKU: Në të gjitha njësitë ku prodhohet dhe tregtohet produkti bukë është i detyrueshëm pasqyrimi për konsumatorët i emërtimit të llojit të bukës, dhe i përbërësve sipas kartës teknologjike përkatëse, në një vend të dukshëm për konsumatorët.

‘Tek buka ka shumë gjëra që nuk shkojnë. Ne jemi i vetmi vend në Europë që bukën e shesim me copë, pra ne abuzojmë që tek shitja. në ligj është e shkruar që shitet me kg, njësia matëse është kg dhe ne shesim me copë’, u shpreh kimisti, Ilir Pecnikaj.

‘Në të gjithë Shqipërinë keni parë ndokund që të peshohet buka dhe të thuhet që kjo buka është 2 kg, 1 kg apo 500 gr që këtu fillon abuzimi. E gjithë markata e bukës në Shqipëri është jashtë çdo lloj kontrolli’, u shpreh kimisti, Ilir Pecnikaj.

Etiketimet janë një tjetër detyrim për prodhuesit e bukës, por kjo nuk realizohet. Në etiketë duhet të kenë të specifikuar çdo përbërës të bukës. Prodhuesit mjaftohen me vendosjen e logove të tyre në ambalazh dhe asnjë element tjetër të rëndësishëm për konsumatorin. Por, këto janë problemi më i vogël…

Duke pasur në fokus cilësinë dhe sigurinë, në blemë 4 bukë të cilat vendosëm ti çojmë në laborator për analiza konkrete. Përzgjedhja e furrave të bukës ishte rastësore. I vetmi kriter ishte blerja në pika pranë zonave me dendësi të lartë banimi.

Kjo është blerja e parë e realizuar. Një bukë masive e bardhë dhe një bukë integrale. Mungesa e kuponit tatimor është problemi më i parëndësishëm në këtë investigim që synim ka sigurinë ushqimore. Buka nuk kishte etiketime të qarta në ambalazh por vetëm logon e biznesit dhe të dhënat e tij siç pohuam edhe më sipër.

Këtu, jemi në pikën e dytë të prodhimit dhe tregtimit.

Blerja edhe këtu është identike si në rastin e parë: një masive të bardhë dhe një bukë integrale. Edhe në këtë rast shitësi nuk lëshonte kupon tatimor. Ky veprim nuk ishte vetëm për ne, por edhe për ata që blenë bukën përpara nesh.

Pa humbur kohë, menjëherë pas blerjeve ne i jemi drejtuar laboratorit i cili është i akredituar për një gamë mjaft të gjerë analizash. Nisur nga diskutimet, problemet e hasura në miell, vendosëm të analizojmë praninë e mykotoksionave, pesticideve, proteinat, fibrat dhe ndotësit ku përfshihen edhe metalet e rënda.

Mënyra se si veprohet në laborator dhe ndjekja e plotë e proceseve me kamera është e pamundur, megjithatë ne arritëm të shohim aparaturat ku do të kryhet analizimi i mostrave e më pas të kemi rezultatet. Këto janë aparaturat për të matur secilin nga elementët e sipërcituar…

Diçka që ne e konstatojmë rëndom në shtëpitë tona, mori tjetër vëmendje përmes një demonstrimi publik të deputetit socialist Erjon Braçe. Pse arrin të thahet buka brenda 24 orësh nga momenti blerjes, një pyetje që nuk mori asnjë përgjigje…

Por, përtej këtij denoncimi, ajo që përbën shqetësim është përdorimi i ngjyruesve. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thotë se nga inspektimet e kryera, nuk ka konstatuar asnjë rast të tillë.

AKU: Nga AKU janë marrë masa për kryerjen e kontrolleve për praninë e ngjyrueseve në subjekte të cilat prodhojnë bukë dhe prodhime brumi dhe gjatë këtyre kontrolleve nuk ka rezultuar prani ngjyruesish në ambientet e prodhimit.

‘Askush nuk e di a garantohen në të gjithë zinxhirin e tyre, përshtypja ime duke njohur kapacitet analizuese që kemi është që jo, pasi shpesh herë bëhen vetëm analiza shumë të thjeshta, një lagështi apo një hi, të cilat vetëm nëse do të ishte një falsifikim i atij produkti, vërtet debil do të thosha që të shtonin gjëra që të linin hi, apo lagështia që do të ishte më e lartë se sa duhej në limitet e tyre nuk garantojnë aspak cilësi’, u shpreh Sokol Abazi, kimist.

Por, fakti që nuk janë gjetur në momentet e kontrollit, nuk përjashton mundësinë e përdorimit. Një demonstrim i thjeshtë mund të krijojë indicie të forta për analiza më të detajuara.

Ne blemë tre bukë, dy integrale dhe një masive të zezë. Në një ene të pastër, të mbushur me ujë, vendosëm një fetë bukë nga secila prej tyre.

Në këtë formë ne pritëm një orë për të parë nëse uji do të ngjyrosej. Pas një ore ne e hoqëm bukën nga uji dhe rezultati është ky që po shikoni në ekran

Në të tre rastet uji është ngjyrosur. Njëra prej bukëve integrale ka lëshuar më shumë ngjyrë. Nëse afrojmë një gotë me ujë të pastër pranë, diferenca bëhet edhe më e qartë, uji është ngjyrosur.

Ky eksperiment i thjeshtë tregon që në tre bukët janë përdorur ngjyrues për të mashtruar qytetarin.

‘Tek mielli dhe tek buka kemi një udhëzim 207 i cili jep vetëm standardet e cilësisë dhe jep nivelin e lagështirës, nivelin e hirit, nivelin e fibrave dhe nivelin proteinik, por këtu ne nuk kemi një akt nënligjor të mirëfilltë i cili në fakt na tregon nëse kjo buka është vërtetë bukë integrale siç e quajmë ne bukë e zezë për të cilën ne paguajmë më shumë, apo është një bukë që i janë shtuar aditivë të cilat janë përmirësues artificial ngjyrues’, u shpreh Ana Vuksani, pedagoge UBT.

Por, ky është një element që del zbuluar edhe në analizat e realizuara nga ne të cilat do ti zbulojmë pas pak…

‘Dhe ajo shprehja që ne jemi çfarë hamë, nuk është e vërtetë, pasi ne do të ishim me kohë përbindësha pasi ajo që hamë nuk është e kontrolluar dhe e garantuar siç duhet’, u shpreh Sokol Abazi, kimist.

ME TE LEXUARAT