Dita e 25-të e revoltës qytetare, protestuesit mblidhen në zemër të kryeqytetit

Protesta qytetare ka hyrë sot në ditën e saj të 25-të, ndërsa qindra protestues janë mbledhur në qendër të kryeqytetit për të vijuar mobilizimin kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Pas grumbullimit në shesh, protestuesit pritet të nisin marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të zhvillohet edhe tubimi kryesor i mbrëmjes.
Sipas organizatorëve, protesta do të vijojë me fjalime, thirrje dhe marshime në rrugët kryesore të Tiranës. Kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe ndryshimi i kursit politik të vendit, ndërsa pjesëmarrësit kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e objektivave të tyre.
Një ditë më parë, në protestën e 24-t, protestuesit zhvilluan marshim në disa zona të kryeqytetit, duke u ndalur para institucioneve shtetërore dhe duke përsëritur kërkesat e tyre. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë edhe në protestën e sotme, e cila konsiderohet një nga më të rëndësishmet që prej nisjes së lëvizjes qytetare.
Ndërkohë, forca të shumta policie janë angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit dhe menaxhimin e qarkullimit në zonat ku do të kalojë marshimi i protestuesve. Protesta pritet të kulmojë para Kryeministrisë, ku qytetarët do të shprehin sërish pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë


