Dita e Verës/ Rrugët që janë bllokuar në Tiranë dhe deri kur zgjasin kufizimet

Aktualitet

Dita e Verës/ Rrugët që janë bllokuar në Tiranë

Tirana është sot, në atmosferë festive për Ditën e Verës, ndërsa në disa akse kryesore të kryeqytetit vijon kufizimi i qarkullimit të automjeteve, sipas masave të njoftuara më herët nga Policia e Shtetit dhe Bashkia e Tiranës.

Për shkak të aktiviteteve që po zhvillohen në qytet, qarkullimi i mjeteve është kufizuar në disa rrugë kryesore. Sipas planit të masave, nga mbrëmja e 13 marsit, ora 22:00, deri sot në orën 18:00, është kufizuar qarkullimi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga ish-Hotel Dajti, për të vijuar më pas në kryqëzimin e rrugës “Ismail Qemali”, kryqëzimin me rrugën “Gjergj Filipi” dhe deri në fillim të sheshit “Nënë Tereza”.

Ndërkohë, nga ora 12:00 e së premtes deri në orën 02:00 të mëngjesit të datës 15 mars, është ndaluar qarkullimi edhe në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri në kryqëzimin me rrugën “Brigada VIII”, si dhe në rrugën “Pjetër Bogdani”, nga kryqëzimi me rrugën “Sami Frashëri” deri në kryqëzimin me rrugën “Gjin Bue Shpata”.

Këto masa janë ndërmarrë për të garantuar mbarëvajtjen e aktiviteteve festive dhe për t’u dhënë qytetarëve mundësinë që të festojnë në mënyrë të qetë.

Ndërkohë, qarkullimi i automjeteve vijon normalisht në disa akse alternative të kryeqytetit, si në rrugët “Lek Dukagjini”, “Abdyl Frashëri”, “Papa Gjon Pali II”, “Sami Frashëri”, bulevardin “Zhan D’Ark”, bulevardin “Bajram Curri”, rrugën “Myslym Shyri” dhe “Abdi Toptani”.

ME TE LEXUARAT