Domatja me çmim rekord, 350 lekë kilogrami! Fermerët: Na vjen turp, por kostot janë rritur shumë

Shqiptarët në këtë sezon po e konsumojnë shumë pak domaten, e kësaj here jo prej ngarkesës me pesticide apo prej cilësisë, por është çmimi ai që po mban këtë produkt larg tryezës. 1 kg domate te fermerët po merret me 250 lekë/kg, por nëse kjo domate vjen në Tiranë, udhëtimi i saj do t’i kushtojë konsumatorit 100 lekë/kg.
“1 kg domate po e shes 250 lekë edhe mua më vjen turp, pasi është çmim shumë i shtrenjtë, por kemi shumë kosto këtë dhe jemi në kushte ekstreme edhe ne si fermer”, tha fermeri Qerim Elezi.
Rendimenti në serën e Qerim Elezit këtë vit është përgjysmuar dhe fajin për këtë e kanë ndryshimet ekstreme të kushteve klimatike.
“Me 2 dynym tokë që kam me këtë lloj domate duhet të merrja të paktën tek 200 kuintal, ndërsa tani nuk e di nëse do t’i kap dot me 50 kuintal, pra jam 150 kuintal minus. Ndryshimet klimatike, mungesa e diellit në nëntor çoi bimën në kalbëzim dhe nuk lidh kokrrën”, tha fermeri Qerim Elezi.
Sipas bujkut nga fshati Hardhi i Belshit, ka disa arsye se përse vlera e domates kapërceu në këto shifra, e para është ndryshimi i klimës dhe e dyta përmbytjet e nëntorit në fshatrat e Beratit dhe të Dimalit, si Samatica dhe Drenovica, që ndryshe njihen si zona e serave; në këtë sezon të parë bujqësor nuk do të prodhojnë sepse bimët e tyre u kalbën nga uji.
Kjo situatë bën që në treg të mungojë produkti i domates, por efekti nuk përfundon këtu sepse ne duhet të përgatitemi ta shtrojmë tryezën me domate dhe perime importi që nuk kanë as shijen dhe aromën e prodhimit tonë.


