Durim Bami, transferohet në Peqin! Pas festës në qelinë e Durrësit, ‘i bashkohet’ edhe Lulzim Berisha

Durim Bami është transferuar sërish nga një burg në tjetrin për arsye sigurie. Këtë herë ai është zhvendosur nga Fushë-Kruja drejt burgut të sigurisë së lartë në Peqin.
Lajmin e konfirmojnë mediat që bëjnë me dije se edhe Lulzim Berisha është transferuar nga Durrësi në Peqin.
Burimet tregojnë se transferimi është kryer gjatë ditës së sotme me vendim të Drejtorisë së Burgjeve, por jo bazuar në një kërkesë të re të Bamit.
Të njejtat burime shpjegojnë se “arsyet e sigurisë” për transferimin e tij, lidhen me sinjalizime për përpjekje të mundshme të shkeljes së rregullave në institutin penitenciar. Pak ditë më parë në burgun e Fushë krujës, u ushtruan kontrolle gjatë të ciave në mjediset e jashtme u gjetën 3 telefona celularë.
Transferimi i tij vjen pak ditë pas publikimit të një videoskandali që i përket muajit janar, ku një grup të burgosurish, përfshirë vetë Berishën, festonin brenda qelisë në paraburgimin e Durrësit.
Nga ana tjetër, transferimi i Bamit vjen më pak se një muaj pasi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pranoi kërkesën e tij për t’u transferuar nga burgu 313 në Tiranë drejt burgut të Fushë-Krujës.
Bami e kishte kërkuar zhvendosjen pas ekstradimit nga Dubai në fund të shkurtit, duke pretenduar se në burgun 313, por edhe në burgjet e Peqinit dhe Reçit, ndodheshin persona që paraqisnin rrezik për jetën e tij.
Sipas kërkesës së depozituar nga avokati i tij Ilir Murati, burgu i Fushë-Krujës konsiderohej alternativa më e përshtatshme. Në kërkesë përmendej edhe gjendja jo e mirë shëndetësore dhe stresi i vazhdueshëm që, sipas mbrojtjes, Bami përjetonte nga prania e personave të arrestuar për vrasje dhe përfshirje në grupe kriminale.
Ndërkohë, ditët e fundit burgjet në vend janë përfshirë në kontrolle të shumta në qeli, përfshirë edhe burgjet e sigurisë së zakonshme.
Sipas burimeve të Report TV, kontrollet po kryhen në kuadër të një plani masash të Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për të goditur fenomenin e përdorimit të telefonave celularë dhe sendeve e ndaluara në qeli, si edhe për të bllokuar takimet speciale të disa të burgosurve VIP.
Akuzat e SPAK ndaj Durim Bamit
Bami është nën masën e sigurisë “Arrest në burg” me urdhër të Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për disa vepra penale, mes tyre “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Sipas SPAK, ai akuzohet se kishte kërkuar eliminimin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka, ndërsa emri i tij është përmendur edhe në planet për vrasjen e Tori Xheçuka dhe Erigers Mihasi.
Po ashtu, sipas SPAK, Bami drejtonte një grup që kultivonte kanabis në zonën e Niklës dhe Bubqit, me ndihmën e ish-efektivit të RENEA-s Altin Morina dhe personave të tjerë.


