Berisha: Rama bllokoi integrimin, raporti i IBAR nuk miratohet nga vendet anëtare për shkak të çështjes Balluku

Politikë

Berisha: Rama bllokoi integrimin, raporti i IBAR nuk miratohet nga vendet

Ditën e enjte parlamenti do të debatojë vetëm për procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndaj mbledhja e deputetëve demokratë u fokusua vetëm tek kjo çështje. Kryetari i PD Sali berisha shfrytëzoi këtë mbledhje për të akuzuar Kryeministrin Edi Rama se po e bllokon procesin e integrimit.

“Por ky proces, siç faktohet çdo ditë e më shumë, është marrë peng nga një organizatë kriminale që drejton Shqipërinë, me kreun e saj të Meduzës, Edi Ramën”, tha Berisha.

Sipas Berishës një prej arsyeve pse raporti IBAR nuk po miratohet nga vendet anëtare është qëndrimi i shumicës socialiste ndaj kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

“Edi Rama deklaroi në Ditën e Evropës se nuk ka lidhje me Ballukun, në një kohë kur për respektimin e vendimit të prokurorisë u bënë një seri deklaratash nga partnerët tanë kryesorë, por edhe vetë nga Komisioni Evropian. Tani të themi tjetrën, Edi Rama jo vetëm që bllokoi, që tregoi se ky e hodhi në kosh reformën e drejtësisë dhe bllokoi funksionimin, nuk lejoi Ballukun të shkojë atje ku e ka vendin, në burg. Por përkundrazi, Lubi Balluku është sot kryeministrja në hije e Shqipërisë. Dhe Edi Rama mendon se këto, partnerët tanë nuk i shohin”, tha Berisha.

Sipas kryetari të PD në këtë situatë nuk mund të ketë ecje para në procesin e integrimit

“Përveç kësaj, Lubia në raste të caktuara vazhdon dhe përdor banda për të kërcënuar. Dhe natyrisht në këto kushte, vendet të cilat besojnë se procesi i integrimit në BE duhet të bazohet në meritën, në performancën, në funksionimin e shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut, nuk mund të pranojë që një njeri, i akuzuar për 36 vite burg, 1.2 miliardë euro në dosje Lubia, tani të jetë edhe më e fuqishme”, tha kreu i PD.

Të enjten parlamenti ka në rendin e ditës debatin për problematikat e konstatuara nga raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri dhe gjetjet e progresraportit të Komisionit Evropian. Gjithashtu kuvendi do të miratojë edhe një rezolutë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë ne BE.

ME TE LEXUARAT