“E gjetëm të plagosur në oborr”/ Si tentuan të fshinin plagosjen e 17-vjeçarit të rinjtë: Dëgjuam një të shtënë ...

Dalin detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Tiranë, ku një 17-vjeçar mbeti i plagosur aksidentalisht me armë zjarri dhe ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.
Sipas hetimeve, katër të rinjtë ndodheshin në banesën e 19-vjeçarit Rigers Sylaj, ku dyshohet se po konsumonin alkool në momentin e ngjarjes. Në një moment, 19-vjeçari ka marrë pistoletën për t’ua treguar shokëve dhe, duke menduar se nuk kishte fishek në fole, e ka drejtuar drejt kokës së 17-vjeçarit, duke e shkrepur aksidentalisht.
Pas të shtënës, i plagosuri është nxjerrë me shpejtësi në oborr dhe është njoftuar ambulanca. Fillimisht, të rinjtë kanë deklaruar se kishin dëgjuar një të shtënë jashtë banesës, por më pas gjatë marrjes në pyetje kanë pranuar se ngjarja kishte ndodhur brenda shtëpisë gjatë kohës që po konsumonin alkool.
Burime hetimore bëjnë me dije se arma e zjarrit i përkiste 19-vjeçarit, i cili është arrestuar për disa vepra penale, përfshirë “plagosje e rëndë nga pakujdesia”, “mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Dy shokët e tjerë, të moshës 20 dhe 22 vjeç, janë arrestuar gjithashtu për pengim të zbulimit të së vërtetës.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


