E gjithë familja në luftë me kancerin | Blerina ia doli, por humbi vëllain, ndërsa nëna e saj po lufton ende

Aktualitet

E gjithë familja në luftë me kancerin

“Asnjë errësirë nuk mund ta ndalojë diellin të lindë në mëngjes.” Kjo është historia e shpresës, dashurisë dhe një beteje të fituar. Blerina Kalthi, 38 vjeçe dhe nënë e dy fëmijëve, ndau emocionet e forta nga përballja e saj me kancerin, por edhe momentet më të vështira të jetës, në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv.

Lufta e saj me sëmundjen nisi në vitin 2021, kur pas një kontrolli rutinë zbuloi se kishte tumor në gji.

“Në vitin 2021 u diagnostikova me tumor në gji. Vendosa të bëja një kontroll pasi kisha një dhimbje të lehtë. Momenti i parë ishte një tronditje e madhe për mua dhe familjen time. Kështu nisi kalvari i vuajtjeve. U operova, bëra kimioterapi dhe për tre vite luftova me sëmundjen. Kam kryer transplant gjaku dhe palce në Turqi, si edhe disa ndërhyrje të tjera. Kisha katër metastaza në trup dhe kam zhvilluar 28 seanca kimioterapie. Efektet anësore vazhdojnë edhe sot. Jam në periudhë rikuperimi, por Zoti deshi që të ngrihesha dhe të gjeja forcën për të vazhduar”, u shpreh Blerina.

38-vjeçarja rrëfeu edhe për humbjen e vëllait të saj, i cili fatkeqësisht nuk arriti ta fitonte betejën me një tumor agresiv në tru.

“Kam humbur vëllain nga kanceri në moshën 28-vjeçare, në vitin 2012. Ai pati një formë agresive të sëmundjes që i mori jetën. Ishte beteja e parë e humbur në familjen tonë dhe na rrëzoi të gjithëve. Kur historia u përsërit me mua, nuk ishte aspak e lehtë për prindërit e mi dhe as për fëmijët e mi. Frika në sytë e tyre ishte e dukshme. Ishte e vështirë, por falë Zotit ia dolëm”, tha ajo.

Megjithatë, dhimbja nuk ka marrë fund. Sot, Blerina po përballet me një tjetër sfidë familjare, pasi nëna e saj është diagnostikuar me kancer në gji.

“Në vitin 2024, mami u diagnostikua me kancer gjiri. Jemi në gjysmën e kësaj beteje. Ajo është një grua e fortë dhe besoj se do t’ia dalë. Nuk ka frikë nga kjo sëmundje dhe po e përballon shumë më mirë sesa unë”, tregoi Blerina.

Rrëfimi i saj dëshmon jo vetëm forcën e karakterit, por edhe mënyrën se si sëmundja ka ndryshuar këndvështrimin e saj për jetën.

“Kanceri më ka ndryshuar edhe ADN-në. Janë dy jetë të ndryshme: ajo para dhe ajo pas sëmundjes. Tumori të mëson të jesh mirënjohëse për gjërat më të vogla. Të bën të kuptosh se jeta është vetëm sot dhe tani. Të rikthen te vetja, të mëson ta duash më shumë veten dhe të përqendrohesh te pasionet e tua”, u shpreh ajo.

Sot, Blerina punon në qendrën “Lumturo Dhimbjen”, ku kujdeset për fëmijët me spektër autik dhe u mëson atyre artin me pika, një teknikë që lindi si formë shpëtimi gjatë ditëve më të vështira të jetës së saj.

“Dita ime i përket vetes sime dhe punës që bëj. Në qendrën ‘Lumturo Dhimbjen’ u mësoj fëmijëve me spektër autik artin me pika. Jam gjithashtu shumë aktive, marr pjesë në trajnime të ndryshme dhe merrem vazhdimisht me krijime artistike. Aty e gjej veten”, tha ajo.

Blerina foli edhe për panairin e saj të parë, i organizuar vetëm me punimet e realizuara prej saj, një ëndërr që u bë realitet falë mbështetjes së mikeshës së saj, Adelina Pali.

Në fund të bisedës, Blerina ndau edhe vështirësitë ekonomike dhe emocionale që përjetojnë personat e prekur nga kanceri, duke përcjellë një mesazh të fortë për shoqërinë shqiptare.

“Kjo sëmundje sjell shumë sfida financiare dhe emocionale. Nuk është aspak turp të kërkosh ndihmë. Duhet të jemi më humanë, sepse është një sfidë me të cilën mund të përballet secili prej nesh. Të kërkosh ndihmë është hapi i parë drejt shërimit. Shpesh njerëzit të shohin ndryshe kur marrin vesh se ke kancer. Ka pasur raste kur persona të prekur nga kjo sëmundje nuk janë punësuar. Nuk duhet të jemi sipërfaqësorë”, përfundoi rrëfimin e saj Blerina.

ME TE LEXUARAT