Ekzekutimi i turistit portugez në Ksamil/ Zbardhen dëshmitë e dëshmitarëve: S'e pamë momentin e ngjarjes, trupi u la 3 orë jashtë

20-vjeçari portugez, Luis Miguel Varela Mendes, i cili u vra me thikë nga punonjësi i kompleksit luksoz ‘Principotes’ erdhi për pushime në Ksamil me një agjenci turistike të huaj.
Ai ishte pjesë e një grupi me të rinj nga Portugalia e Franca që kishin zgjedhur të pushonin në rivierën shqiptare, por u përfshi në një sherr me punonjës të ‘Principotes’, të cilët pasi e dhunuan me grushte e vranë duke e goditur me thikë dhe trupin e pajetë e lanë jashtë për gati 3 orë, deri në momentin kur u zbulua nga policia.
Një ditë pas vrasjes, zbardhen dëshmitë e turistëve të tjerë që kanë qenë në lokal. Të rinjtë kanë deklaruar para grupit hetimor se nuk e parë momentin e vrasjes dhe e kanë mësuar vetëm në mëngjes kur ka mbërritur Policia.
Një ditë më parë u arrestuan 11 persona dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim për vrasjen e turistit portugez. Autori i dyshuar është Sokrat Lipan alias Vata i cili u kap 5 orë pas ngjarjes në Levan të Fierit, në bagazhin e një automjeti. Në pranga bashkë me të ranë dhe dy turqit që po e transportonin drejt Tiranës.
Në kërkim është pronari i lokalit Bekim Bulica nga Hasi, i cili, pas ngjarjes, është larguar duke mos kallëzuar krimin. Policia zbuloi të gjithë dinamikën e ngjarjes tronditëse, ku rezulton se 20-vjeçari portugez është dhunuar me grushte para se të vritej me thikë.
David Heurtevent ka qenë personi që është konfliktuar fillimisht me portugezin, më pas kamarierët dhe Sokrat Vata, i cili e ka goditur disa herë me thikë turistin portugez. David Heurtevent është shpallur në kërkim. Që të dy akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.
Edhe Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani dhe Murat Zhabina, kamerierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konflikt, duke e goditur me grushte të riun portugez, para se ta vritej dhe janë larguar nga vendngjarja.
Në momentin e konfliktit, në lokal kanë qenë në rolin e bodyguardëve efektivi i policisë Miosid Matushaj, punonjësi i policisë Bashkiake Romeo Shehu dhe Kristi Koshi, të akuzuar se nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e ngjarjes dhe për mosnjoftimin e policisë së Shtetit.


