Skandal në tenis/ 31-vjeçari kapet me substanca të ndaluara, reagon në Instagram: Bëra një gabim të madh

Tenisti australian Nick Kyrgios është pezulluar përkohësisht nga aktivitetet e tenisit, pasi rezultoi pozitiv në një test antidoping për kokainë gjatë turneut ATP 250 në Mallorca, më 22 qershor 2026.
Në mostrën e 31-vjeçarit u gjet benzoylecgonine, një metabolit i kokainës. Rezultati u konfirmua më 17 korrik nga një laborator i akredituar nga Agjencia Botërore Antidoping (ËADA), ndërsa pezullimi i përkohshëm hyri në fuqi më 4 gusht.
Kyrgios reagoi përmes Instagramit, ku pranoi përgjegjësinë për rezultatin pozitiv.
“Kam bërë një gabim të madh dhe marr përgjegjësi të plotë për të”, tha tenisti australian, duke kërkuar falje për tifozët, familjen, sponsorët dhe veçanërisht fëmijët që e ndjekin.
Ai e lidhi situatën me periudhën e vështirë që ka kaluar gjatë viteve të fundit, për shkak të dëmtimeve të shumta fizike dhe vështirësive emocionale që ka përjetuar ndërsa karriera e tij ka hyrë në një fazë të pasigurt. Kyrgios ka njoftuar gjithashtu se do të tërhiqet për 28 ditë nga rrjetet sociale dhe jeta publike.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Integritetin në Tenis (ITIA), Kyrgios ka të drejtë të apelojë pezullimin, por deri tani nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Gjatë pezullimit, ai nuk mund të marrë pjesë, të trajnojë apo të jetë i pranishëm në turnetë e sanksionuar nga organizatat ndërkombëtare të tenisit, përfshirë Grand Slamet.
Kyrgios, ish-numri 13 në botë dhe finalist i Wimbledonit, ka luajtur vetëm pak ndeshje këtë sezon për shkak të problemeve me dëmtimet. Para pezullimit, ai ishte paraqitur në Wimbledon në konkurrimin e çifteve, ku së bashku me Alexander Bublik u eliminua që në raundin e parë.


