"Shtëpi bari" me vlerë deri në 937 mijë paund britanikë në Skoci/ Shpallet fajtor 30-vjeçari shqiptar (EMRI)

Një 30-vjeçar shqiptar, Vilson Gjinaj, është shpallur fajtor për prodhimin e kanabisit në një ambient industrial në Kilmarnock, Skoci, ndërsa tani ndodhet në paraburgim dhe pret caktimin e dënimit.
Gjinaj u deklarua fajtor javën e kaluar në Gjykatën Sheriff të Kilmarnock për prodhimin e një droge të klasës B. Sipas akuzës, ai e kishte kryer veprën nga 24 dhjetori 2025 deri në momentin kur u zbulua nga policia.
Ngjarja u zbulua më 3 shkurt 2026, pasi policia u thirr në një ndërtesë të madhe prej tullash në adresën 17-19 Canal Street, e njohur më parë si McMaster Motors. Një dëshmitar kishte raportuar një “erë të fortë kanabisi” dhe aktivitet të pazakontë në ambientet e objektit.
Kur mbërritën në vendngjarje, efektivët konstatuan një erë shumë të fortë kanabisi dhe dëgjuan zhurmën e ventilatorëve që vinte nga brenda. Pak më vonë, ata dëgjuan lëvizje dhe identifikuan Gjinajn brenda ndërtesës.
30-vjeçari u tha policëve se nuk kishte mundur të dilte nga objekti për dy ditë, pasi dera ishte bllokuar ose barrikaduar.
Policia tentoi të hapte me forcë derën kryesore, por pa sukses dhe kërkoi ndihmën e zjarrfikësve. Këta të fundit arritën të hynin nga pjesa e pasme e ndërtesës.
Sipas prokurores Lindzi Bayne, sapo policia hyri në ambient, Gjinaj iu prezantua oficerëve dhe doli vetë nga zona e kultivimit. Brenda saj u gjetën bimë kanabisi, sisteme ajrimi dhe mbulesa plastike, ndërsa ambienti kishte edhe shenja të qarta banimi.
Në objekt u gjetën ushqim dhe ujë, një krevat me dyshek e shtroje, pajisje gatimi dhe hapësira të përshtatura për të jetuar. Policia kontrolloi gjendjen e Gjinajt, i cili tha se ishte mirë dhe nuk kishte pësuar lëndime apo nuk kishte nevojë për ndihmë mjekësore.
Më pas ai u arrestua dhe u akuzua. Bimët rezultuan pozitivisht për kanabis, ndërsa ADN-ja e Gjinajt u gjet në vendngjarje.
Një kontroll i detajuar i kryer nga policia të nesërmen zbuloi gjithsej 1.563 bimë kanabisi. Sipas vlerësimit të paraqitur në gjykatë, vlera e mundshme e tyre shkonte nga 312.600 deri në 937.800 paund. Bimët ishin rreth gjashtëjavëshe dhe vlerësohej se kishin edhe rreth tre javë deri në korrje.
Avokati mbrojtës kërkoi që para caktimit të dënimit të përgatiteshin raporte mbi rrethanat personale dhe të kaluarën e Gjinajt, duke theksuar se 30-vjeçari nuk kishte precedent penal.
Sherifja Sheena Fraser e pranoi kërkesën dhe e shtyu caktimin e dënimit për një datë të mëvonshme gjatë këtij viti. Ndërkohë, Gjinaj është lënë në paraburgim.


