EMRI/ Tentoi të rrëmbente vajzën nga Nepali, arrestohet 30-vjeçari problematik nga Tepelena

Aktualitet

EMRI/ Tentoi të rrëmbente vajzën nga Nepali, arrestohet

Policia e Sarandës ka arrestuar një 30-vjeçar të shpallur në kërkim, i dyshuar për tentativën e rrëmbimit të një vajze nga Nepali pranë doganës së Qafë Botës.

Operacioni u zhvillua mesditën e djeshme në lagjen nr. 4 të Sarandës, pranë stadiumit të qytetit, ku u vu në pranga Mariglen Kondi, banues në Tepelenë, i cili rezulton me precedentë të mëparshëm penalë.

Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur më 2 korrik, rreth orës 18:53, në aksin Konispol–Qafë Botë, në vendin e quajtur “Postbllok”. Sipas policisë, Kondi dyshohet se ka tentuar disa herë ta fusë me forcë në automjet vajzën nga Nepali, e cila ka mundur të largohet duke vrapuar dhe më pas ka denoncuar rastin në polici.

Përmes pamjeve të kamerave të sigurisë, autoritetet kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin dhe më pas kanë organizuar operacionin për arrestimin e tij.

Mariglen Kondi rezulton i proceduar më herët. Në vitin 2020 ai është arrestuar për veprën penale “kultivim i bimëve narkotike” në bashkëpunim, por më pas është lënë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe ai e ka shkelur masën e sigurisë dhe në vitin 2021 është arrestuar sërish për vjedhjen e disa kamionçinave në Lushnjë.

Hetimet për ngjarjen vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë.

ME TE LEXUARAT