Marrëveshja për huanë 302 milionë USD me SHBA-në, Balla: PD bojkotoi një marrëveshje historike, njësoj si për Bordin e Paqes

Politikë

Marrëveshja për huanë 302 milionë USD me SHBA-në,

Kreu i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se lëvrimet e parave të marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pajisje ushtarake pritet të nisin në muajin shtator. Balla e cilësoi këtë financim si një mbështetje të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë.

Balla komentoi edhe mungesën e opozitës në votimin e marrëveshjes. Sipas tij, qëndrimi i opozitës nuk lidhej me çështje procedurale, por me një zgjedhje politike. Ai tha se “e njëjta parti që bojkotoi miratimin për përfshirjen në Bordin e Paqes, bojkotoi edhe votimin e kësaj marrëveshjeje historike”.

“Interesi i vendit, në kushtet e një bote të trazuar, është një marrëveshje që forcon kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë dhe ne synojmë që në shtator të nisin lëvrimet e para. Është mbështetja më e madhe që SHBA i jep Shqipërisë.

Nëse do ta humbnim këtë javë, do të hynim në një situatë të vështirë dhe do të vihej në dyshim përfitimi i pjesës së parë që në ditët e para të shtatorit. Arsyeja përse PD-ja bojkotoi nuk ka të bëjë me procedurat. E njëjta parti që bojkotoi miratimin për përfshirjen në Bordin e Paqes, është e njëjta parti që bojkotoi edhe votimin e kësaj marrëveshjeje historike”, u shpreh Balla.

ME TE LEXUARAT