Fëmija shkoi në shtëpi i nxirë, arrestohet edukatorja në Tiranë: Nuk po flinte, s`e durova dot, EMRI

Një edukatore në një kopsht privat në Tiranë është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije 2-vjeçar.
Në pranga është vënë 32-vjeçarja Brunilda Haxhiu. Denoncimi në polici është bërë nga babai i fëmijës, pasi ka konstatuar shenja dhune në fytyrën e të miturit.
Fillimisht, babai e ka dërguar fëmijën në spital, ku i janë kryer ekzaminimet përkatëse. Sipas të dhënave, 2-vjeçari kishte një të nxirë në faqe dhe shenja skuqjeje në veshë.
Gjatë marrjes në pyetje, 32-vjeçarja Brunilda Haxhiu ka deklaruar se e ka goditur fëmijën me shpullë, pasi ai nuk po e zinte gjumi dhe ajo nuk po e duronte dot situatën.
Sipas burimeve, edhe nga pamjet filmike është konstatuar se edukatorja 32-vjeçare ka ushtruar dhunë fizike ndaj fëmijës.
Njoftimi
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasen B. H., 32 vjeçe, me detyrë edukatore në një kopsht privat, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një të mituri 2-vjeçar, në ambientet e kopshtit ku punonte.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë shtetasin B. O., 32 vjeç, pasi, pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se ka tentuar të godasë me automjet shtetasin L. H., të cilin më pas e ka goditur me një send të fortë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasit R. S., 20 vjeç dhe B. R., 34 vjeç, pasi 20-vjeçari, gjatë një konflikti me kushëririn e tij, B. R., dyshohet se tentoi ta godiste me një armë artizanale në dukje luftarake, ndërsa 34-vjeçari paraprakisht ishte konfliktuar dhe kishte kanosur nënën e 20-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


