Fluks i madh në Qafë Botë/ Radhë të gjata automjetesh në kufi, 10 mijë udhëtarë në 24 orë

Radhë të gjata automjetesh janë krijuar këtë fundjavë në pikën kufitare të Qafë Botës, në jug të vendit, si pasojë e fluksit të lartë të udhëtarëve. Ngarkesa është vërejtur në të dyja anët e pikës së kalimit kufitar, ku qytetarët presin për përfundimin e procedurave të kontrollit.
Në 24 orët e fundit, në Qafë Botë kanë hyrë dhe kanë dalë rreth 10 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj. Sipas të dhënave nga pika kufitare, fluksi është më i madh në hyrje drejt Shqipërisë. Nga pala shqiptare janë në funksion katër sportele, ndërsa pala greke operon me dy sportele.
Fluksi i lartë lidhet me lëvizjet e turistëve dhe pushuesve gjatë sezonit veror, si dhe me qytetarët që udhëtojnë drejt Greqisë apo kthehen në Shqipëri. Autoritetet kufitare vijojnë punën për menaxhimin e situatës dhe për përshpejtimin e procedurave, me qëllim reduktimin e kohës së pritjes për udhëtarët.


