“Gjaku i nënës nuk do ngelet pa larë…”/ E moshuara u dhunua brutalisht në Golem, i biri: Duan pronat tona…

Një ngjarje e rëndë është denoncuar në zonën e Golemit, ku një grua e moshuar e identifikuar si Sheko Qerim Ademi, 69 vjeç dhe djali i saj Rexhep Ademi, pretendojnë se janë dhunuar barbarisht nga biznesmenët si dhe nga efektivët e Policisë, për një konflikt për pronat. Sipas materialeve të publikuara nga avokati Arben Llangozi, dy biznesmenë kanë dhunuar Rexhep Ademin në tokën e tij në dhjetor të vitit 2023 pasi nuk i lejon që të ndërtojnë aty. Dhuna sipas Rexhep Ademit vijon prej 3 vitesh.
Në “Shqipëria Live”, ata kanë treguar detaje mbi ngjarjen dhe hapat që do të ndjekin në vijim.
“Në vitin 2023, kur u çel trashëgimia, nëna u dhunua në dhjetor dhe i thyhet telefoni. Policia e shënoi dhunë psikologjike. Pasi erdhi media, policia kreu veprimet si duhet. Nëna u pajis me urdhër mbrojtje. 8 orë më vonë, daja u gjet i mbytur në një pus. Autoritetet e kanë arkivuar vetëvrasje dhe kanë mbyllur hetimet. Ne kemi dyshimet tona që ai është vrarë. Sepse ai kishte personalitet, sedër dhe nuk do e vriste veten. Ne i lamë gjërat pezull edhe nga dhimbja. Tani në vitet 2024 dhe 2025, vazhduan presionet dhe budallallëqet. Kemi bërë denoncim për ndërtim pa leje…
Dhuna ka nisur në 2023 nga familja jonë. Tani në vitin 2025 ka vijuar nga banditët e ndërtimit. Më kanë shembur shtëpinë e gjyshit dhe kanë marrë tokën. Për herë të fundit nëna është dhunuar dy ditë më parë. Unë kërkoj vetëm drejtësi, hetimin e dhunës ndaj nënës, vrasjen e dajës dhe hetimin për pronat e gjyshit. Zoti na dhëntë forcë të mos kalojmë në ekstrem, por do vijoj luftën. Gjaku i asaj nëne dhe gjaku im nuk do ngelen pa larë. Nëse nuk ndërhyn shteti, çfarë duhet të bëj unë?”– tha ai.


