Guvernatori Sejko thirrje bankave: Financoni ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe sektorin e bujqësisë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u ka bërë thirrje bankave që të shtojnë financimet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht në sektorin e bujqësisë, për t’i dhënë më shumë mbështetje ekonomisë.
Deklarata erdhi gjatë aktivitetit për nënshkrimin e partneritetit të ri mes shtetit, sistemit bankar dhe sipërmarrjes shqiptare në kuadër të programit kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”. Guvernatori theksoi se kreditimi për sektorin privat ka shënuar rritje në vitet e fundit dhe se kredia bankare mbetet burimi kryesor i financimit të ekonomisë.
“Portofoli i kredisë për sektorin privat ka arritur në 720 miliardë lekë. Kredia për sektorin privat është rritur me rreth 15% gjatë viteve të fundit”, tha Sejko.
Ai shtoi se zhvillimet tregojnë për një rritje të rolit të sistemit bankar në ekonomi dhe për përdorimin e instrumenteve moderne të pagesave, ndërsa kërkoi më shumë angazhim në financimin e sektorit bujqësor.
Fjala e plotë e Sejkos:
Është kënaqësi për mua të marr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të këtij Memorandumi Mirëkuptimi, në kuadër të “Nismës kombëtare për financimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe të fermerëve”. Ky Memorandum synon lehtësimin e shkëmbimit të informacionit dhe të opinioneve midis institucioneve publike dhe sektorit bankar, si një parakusht i nevojshëm për dizenjimin e instrumenteve të duhura për rritjen e aksesit në kredi të këtyre segmenteve të rëndësishme të ekonomisë shqiptare.
Në hyrje të kësaj fjale, dëshiroj të theksoj se sektori bankar shqiptar ka shënuar një progres të dukshëm në drejtim të rritjes së kreditimit. Për ta ilustruar me shifra: portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi vlerën e 907 miliardë lekëve në fund të muajit mars 2026, nga 575 miliardë lekë të regjistruar vetëm pesë vite më parë. Po ashtu, kredia për sektorin privat ka shënuar një rritje mesatare vjetore prej rreth 15% gjatë dy viteve të fundit, ose afërsisht 107 miliardë lekë në vit, ndërkohë që kredia e re e dhënë gjatë vitit 2025 ishte rreth 423 miliardë lekë. Aktualisht, kredia bankare përbën një ndër flukset më të mëdha monetare në ekonomi dhe është – me diferencë – instrumenti kryesor i financimit të bizneseve dhe familjeve shqiptare.
Sikundër e kam thënë dhe më parë, këto zhvillime flasin për një përmirësim sasior dhe cilësor të ofertës së kredisë. Për rrjedhojë, sistemi bankar tashmë është shndërruar në një partner gjithnjë e më të besuar të sektorit privat. Ai ofron jo vetëm instrumente të sigurta për ruajtjen e kursimeve të familjeve, por edhe instrumente moderne pagese dhe një ofertë gjithnjë e më të diversifikuar kredie. Ky progres pasqyron rezultatet e punës së Bankës së Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit monetar e financiar të vendit, frytet e reformave të mëdha strukturore që kemi ndërmarrë gjatë viteve të fundit, si dhe rezultatet e punës së vetë industrisë bankare për rritjen e ndërmjetësimit financiar.
Megjithatë, ecuria pozitive e kreditimit gjatë kësaj periudhe përmban në vetvete një ritëm të diferencuar rritjeje ndërmjet bizneseve të kategorizuara sipas madhësisë dhe sektorit ku ato operojnë. Në veçanti, segmenti i ndërmarrjeve të vogla e të mesme – i cili përbën shtyllën kurrizore të ekonomisë shqiptare, duke gjeneruar pjesën dërrmuese të vlerës së shtuar dhe ofruar punësim për pjesën më të madhe të shoqërisë – ka një akses relativisht të ulët në kredi. Për këto arsye, rritja e kredisë për këtë segment duhet konsideruar si një prioritet i rëndësishëm kombëtar. Një akses më i lartë në kredi i SME-ve do t’i hapte rrugë zgjerimit më të shpejtë të potencialeve prodhuese të vendit, rritjes më të shpejtë të produktivitetit total të ekonomisë dhe përmirësimit të mëtejshëm të mirëqenies së shoqërisë.
Në këtë kontekst, prej më shumë se një viti, Banka e Shqipërisë ka miratuar dhe ka vënë në zbatim një Program Financimi për Biznesin e Vogël dhe të Mesëm, i cili synon reduktimin e kostove të kredisë për këtë segment esencial të ekonomisë shqiptare. Paralelisht, Qeveria Shqiptare ka miratuar një Skemë Garancie sovrane, me qëllim uljen e rrezikut të kreditit për operatorët e sektorit bujqësor. Në gjykimin tonë, këto dy instrumente ofrojnë një pikënisje të mirë për adresimin e këtij problemi.
Progresi i bërë gjatë dy viteve të fundit është padyshim një premisë inkurajuese. Megjithatë, duke përfituar nga rasti, dëshiroj t’i bëj thirrje industrisë bankare për të pasur një vëmendje më të madhe ndaj financimit të sektorit të SME-ve, e veçanërisht atij agro. Ky sektor mbart potenciale të pashfrytëzuara për zgjerimin e industrisë bankare, duke kontribuuar në zhvillimin afatgjatë të vendit dhe pa cenuar normat e prudencës. Nga ana tjetër, dëshiroj t’u drejtohem edhe vetë bizneseve të vogla e të mesme, duke i inkurajuar që t’i afrohen bankave dhe t’i konsiderojnë ato jo vetëm si një burim të qëndrueshëm dhe me kosto të ulët financimi, por edhe si një konsulent të vlefshëm financiar dhe partner të besueshëm zhvillimi.
Në mbyllje, duke përshëndetur pjesëmarrësit në këtë tryezë, dëshiroj të shpreh bindjen time se ky Memorandum Bashkëpunimi do të kontribuojë pozitivisht për hartimin e politikave më efikase në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.


