Sulmi i Berishës ndaj Gonzatos, Salianji:“Ç’punë ka me ambasadorin?!”

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, ka reaguar ashpër pas deklaratave të kreut demokrat Sali Berisha ndaj ambasadorit të Bashkimi Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Gjatë një deklarate publike, Salianji kritikoi gjuhën e përdorur nga Berisha ndaj diplomatit europian, duke thënë se sulmi ndaj tij erdhi në të njëjtën ditë me deklaratat kundër BE-së nga presidenti serb Aleksandar Vučić.
“Berisha shan ambasadorët, ai bën sikur i përkëdhel. Çfarë pune ka me ambasadorin e BE-së? Në të njëjtën ditë që u sulmua nga Berisha, Aleksandar Vučić sulmoi gjithashtu Bashkimin Europian”, deklaroi Ervin Salianji.
Ai ngriti pikëpyetje mbi efektet që sipas tij kanë këto qëndrime për opozitën dhe imazhin e saj politik.
“Çfarë janë këto lidhje? Çfarë përfiton partia? Unë po them fakte, është fakt që e sulmuan të dy njëkohësisht”, tha ai.
Deklarata e Ervin Salianji vjen në një moment tensionesh të forta politike mes opozitës dhe mazhorancës, ndërsa raportet me partnerët ndërkombëtarë vijojnë të mbeten në fokus të debatit publik.


