Alarm nga shkencëtarët: Zjarret pritet të arrijnë nivele shumë të larta këtë vit

Bota

Alarm nga shkencëtarët: Zjarret pritet të arrijnë nivele

Zjarret pritet të arrijnë nivele shumë të larta këtë vit në mbarë botën, të nxitura nga ndryshimet klimatike dhe fenomeni El Nino, ndërsa që nga fillimi i vitit kanë arritur tashmë nivele rekord, paralajmërojnë studiuesit.

“Ky vit ka nisur shumë fuqishëm për sezonin e zjarreve në botë, me 50% më shumë sipërfaqe të djegura krahasuar me mesataren për këtë periudhë të vitit”, deklaroi Theodor Kipping gjatë një prezantimi për gazetarët.

Sipas tij, kjo sipërfaqe është “20% më e madhe se rekordi i mëparshëm që nga fillimi i monitorimit global në vitin 2012”, ndërsa paralajmëroi se pritet një “vit veçanërisht i vështirë”.


Sipërfaqja totale e djegur në botë nga fillimi i vitit deri më 6 maj ka arritur në 1.63 miliardë hektarë, sipas të dhënave të Sistemit Global të Informacionit për Zjarret (GWIS), krahasuar me mesataren prej 1.1 miliardë hektarësh për periudhën 2012-2025 deri në të njëjtën datë.

Situata është veçanërisht shqetësuese në Afrikë, ku janë regjistruar nivele rekord në shumë vende të Afrikës Perëndimore dhe rajonit të Sahelit. Zjarret në savanë janë favorizuar nga alternimi i reshjeve të forta, që nxisin vegjetacionin, me periudha thatësire që favorizojnë përhapjen e flakëve.

Fenomeni El Nino

Studiuesit paralajmërojnë gjithashtu për pasojat e rikthimit të pritshëm të fenomenit natyror El Nino, i cili rrit temperaturat globale.

Ky fenomen është një nga fazat e ciklit natyror në Oqeanin Paqësor, që zakonisht nis në pranverë dhe ndikon gradualisht në muajt pasues mbi temperaturat, erërat dhe klimën në pjesë të ndryshme të planetit.

World Meteorological Organization ka paralajmëruar se, megjithëse mbeten pasiguri, rikthimi i El Nino nga maji deri në korrik po bëhet gjithnjë e më i mundshëm, ndërsa fenomeni i kundërt La Niña po dobësohet. Kjo pritet t’i shtohet rritjes së vazhdueshme të temperaturave të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.

“Mundësia për zjarre ekstreme dhe të rrezikshme mund të jetë ndër më të lartat në historinë e fundit, nëse zhvillohet një El Niño i fortë”, vlerësoi Kipping. Sipas tij, fenomeni mund të krijojë kushte të forta nxehtësie dhe thatësire në Australi, në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara dhe Kanada, si edhe në pyjet e Amazonës.

Edhe Friederike Otto theksoi se zhvillimi i një El Nino të fuqishëm këtë vit, i kombinuar me efektet e ndryshimeve klimatike, mund të sjellë “fenomene klimatike ekstreme të paprecedenta”.

ME TE LEXUARAT