Helmimi i 56 studentëve te Akademia e Sigurisë/ AKU reagon sërish: Kampion uji dhe mostra për testimin e higjienës

Aktualitet

Helmimi i 56 studentëve te Akademia e Sigurisë/ AKU reagon

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar sërish për rastin e helmimit të 56 studentëve në Akademia e Sigurisë në Sauk, duke bërë të ditur se hetimet janë ende në vijim.

Sipas AKU-së, pas marrjes së mostrave të ushqimeve të furnizuara nga kompania Sori-Al, tashmë është kryer edhe kampionimi i ujit të rrjetit, i cili do t’i nënshtrohet analizave mikrobiologjike.

Gjithashtu, Instituti i Shëndetit Publik ka marrë mostra për testimin e higjienës në ambientet ku përgatitet ushqimi.

Mostrat e produkteve janë dërguar për analizim në Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ndërsa autoritetet thonë se rezultatet do të bëhen publike pas përfundimit të analizave.

Ndërkohë, vijon bashkëpunimi mes institucioneve për të identifikuar burimin e infeksionit dhe për të parandaluar raste të tjera të ngjashme.

Njoftimi i plotë;


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon me hetimin hap pas hapi të rastit të pak ditëve më parë, ku pas komunikimit ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk u informuam mbi rastin e dyshuar për helmim të disa kursantëve pranë kësaj akademie.

Në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese, u morën masa të menjëhershme për verifikimin konkret të rastit.

Janë marrë mostra të produkteve, të cilat janë dërguar për analizim pranë laboratorit të ISUV dhe aktualisht jemi në pritje të rezultateve.

Përpos lëndëve të para dhe produkteve gati për tu ngrënë, të dyshuara, u krye dhe kampionimi i ujit të rrjetit, i cili do t’i nënshtrohet analizimit mikrobiologjik.

NJVKSH në këtë situatë, është ende duke kryer verifikimet e nevojshme.

Për të plotësuar kuadrin hetimor, ISHP ka marrë mostra për testimin e higjienës së ambienteve të punës, ku përgatitet ushqimi. Rezultatet e të cilave, do të bëhen me dije, në përfundim të procesit.

Aktualisht vijon komunikimi i ngushtë me ISHP dhe NJVKSH, nga të cilët pritet raporti i hetimit epidemiologjik, një element thelbësor për identifikimin e burimeve të infeksionit, dhe ndalimin e transmetimit të mëtejshëm.

AKU inkurajon praktikat e mira higjienike, në garantim të sigurisë ushqimore, si një masë esenciale në parandalimin e infeksioneve dhe problematikave të tjera.

Trupat inspektuese dhe stafi AKU janë në gatishmëri për ndjekjen e këtij rasti dhe të gjithë situatave ku preket siguria ushqimore.

ME TE LEXUARAT