“Europa kërkon ndryshim”/ Salianji: PD nuk mund të ecë përpara me të njëjtin lider prej 36 vitesh

Ish-deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Ervin Salianji, ka përcjellë një mesazh në Ditën e Europës, ku theksoi se demokracia dhe ndryshimi janë vlera themelore të projektit europian.
Në reagimin e tij, Ervin Salianji dha edhe një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha, duke deklaruar se partia nuk mund të përfaqësojë pritshmëritë e shqiptarëve për integrim europian me të njëjtin drejtues prej 36 vitesh.
Sipas tij, pa frymë të re dhe pa ndryshim real në lidership, opozita nuk mund të bindë qytetarët për një alternativë europiane.
“Dita e Europës nuk është thjesht një simbol, ajo është një thirrje për ndryshim. Partia Demokratike duhet ta përfaqësojë këtë pritshmëri të popullit shqiptar. Por këtë nuk mund ta bëjë kurrë duke pasur në krye të njëjtin lider prej 36 vitesh, që nuk respekton asnjë normë demokratike”, u shpreh Ervin Salianji.
Ai shtoi se Shqipëria ka nevojë për një frymë të re politike dhe se ndryshimi, sipas tij, është tashmë një “detyrim europian”.
Reagimi i plotë:
Gëzuar 9 Majin, Ditën e Europës
Në një kohë të errët për njerëzimin, pas shkatërrimit që lanë pas sistemet totalitare, etërit themelues të Europës së Bashkuar vendosën se demokracia dhe shteti i së drejtës janë garancitë e vetme që shoqëritë të mund të ndryshojnë dhe zhvillohen në paqe.
Demokracia është pikërisht kjo: një sistem përmes të cilit pushteti mund të lihet dhe ndryshimi bëhet i mundur.
Demokracia nuk është perfekte por është i vetmi sistem vlerash kundër autokratëve.
Sot, kur një brez i tërë në Shqipëri kërkon të mbyllë një tranzicion të gjatë dhe të çojë vendin drejt integrimit europian, përballemi ende me përpjekje për të mbyllur hapësirat e brendshme, për t’u kthyer tek interesat personale dhe për t’i rezistuar ndryshimit.
Por Dita e Europës nuk është thjesht një simbol, ajo është një thirrje për ndryshim.
Partia Demokratike duhet ta përfaqësojë këtë pritshmëri të popullit shqiptar. Por këtë nuk mund ta bëjë kurrë duke pasur në krye të njëjtin lider prej 36 vitesh, që nuk respekton asnjë normë demokratike.
Europa që ne besojmë është ajo e lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe vendimmarrjes nga qytetarët.
Këto janë parimet mbi të cilat ndërtohet familja politike europiane dhe që duhet të udhëheqin çdo forcë politike që synon të jetë pjesë e saj.
Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një frymë të re dhe për një brez që beson në këto vlera dhe kërkon t’i kthejë ato në realitet.
Ndryshimi nuk është vetëm një nevojë. Është një detyrim europian.
Vetëm kështu PD bëhet fituese.
Gëzuar Ditën e Europës.


