Integrimi i Shqipërisë u bllokua? Gonzato: Spekulime, raporti i Komisionit është pozitiv

Pavarësisht debatit për fazën e ndërmjetme IBAR, e konsideruar si një test kyç për funksionimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit në nivele të larta, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, mohoi se ka një bllokim të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë.
Në një dalje publike përkrah kryeministrit Edi Rama, Gonzato i cilësoi si spekulime pretendimet e opozitës për ngërç në proces.
Ai sqaroi se raporti i Komisioni Europian për IBAR ka qenë pozitiv për Shqipërinë dhe tashmë diskutimet po zhvillohen mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Sipas tij, kjo është një procedurë normale për të përcaktuar hapat e ardhshëm drejt mbylljes së kapitujve të negociatave.
Edhe Edi Rama mbajti të njëjtin qëndrim, duke deklaruar se detyrat e Shqipërisë për këtë fazë janë konsideruar të përmbushura nga Komisioni Europian.
“Të thuash që procesi është bllokuar, është të shesësh ajër”, tha kreu i qeverisë.


