Atentati në berberhanen në Lezhë, zbardhet dëshmia e policit: Isha rastësisht, qëllova me armë për të neutralizuar...

Zbardhet dëshmia e efektivit të policisë që ndodhej brenda berberhanes në Rrijë të Lezhës mbrëmjen e së dielës, kur u qëllua me armë zjarri dhe i plagosur mbeti 30 vjeçari Sokol Daci, i cili dyshohet se nuk ishte shënjestra.
Efektivi i policisë ka deklaruar para hetuesve se ka qenë rastësisht në berberhane në momentin kur ka ndodhur atentati dhe se ka qëlluar me armë zjarri ndaj autorëve, të cilët nuk i ka identifikuar, për t’i neutralizuar.
“Isha rastësisht aty, nuk kam arritur t’i identifikoj. Kam qëlluar me armë zjarri për të neutralizuar autorët”, ka thënë efektivi.
Burime nga grupi hetimor kanë bërë me dije se 30-vjeçari, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Traumës, nuk ka qenë shënjestra e atentatit, por një nga katër personat e tjerë që ndodheshin brenda biznesit të tij në momentin kur ndodhi ngjarja.
DYSHIMET DHE LËVIZJA E AUTORËVE
Dyshohet se kanë qenë tre persona të cilët kanë mbërritur në fshatin Rrilë të Lezhës me një mjet tip “Audi”, dhe pasi janë ulur nga makina, kanë qëlluar në drejtim të berberhanes, duke lënë të plagosur Sokol Dacin, i cili ka marrë tre plumba, një në shpatull, një në bark dhe një në këmbë.
Mësohet se i lënduar nga të shtënat me armë ka mbetur edhe një anëtar i familjes Nikulaj, por deri tani në ambientet e spitalit nuk është paraqitur asnjë person i plagosur.
Kujtojmë që një anëtar i fisit Nikulaj, Ardian Nikulaj, u vra në prill të 2023 në hotelin e tij në Shëngjin, ndërsa si porositës i kësaj ngjarje dyshohet se është Edmond Haxhia për shkak të hasmërisë.


