Inteligjencë artificiale për skanimin e faturave në turizëm, si do funksionojë dhe kur konsiderohen bizneset në shkelje

Aktualitet

Inteligjencë artificiale për skanimin e faturave në turizëm,

Në nisje të sezonit turistik, strukturat e akomodimit, baret dhe restorantet do të jenë në shënjestër të administratës tatimore për monitorimin e lëshimit të faturave fiskale, me qëllim uljen e informalitetit në këtë sektor dhe rritjen e të ardhurave.

Për herë të parë, administrata tatimore do të përdorë inteligjencën artificiale në funksion të arritjes së këtij qëllimi.

Referuar planit sektorial të administratës tatimore fokusuar në sektorin e turizmit, sistemi filtron automatikisht fotot e ushqimit/ambientit dhe fokusohet vetëm te fotot me fatura fiskale, duke kursyer kështu 80% të kohës dhe burimeve të analizës.

Fillimisht sistemi përmes google map, kërkon biznese dhe shkarkon foto, më pas bën dedektimin e shpejtë përmes Inteligjencës Artificiale nëse është faturë apo jo-faturë, në fazën dytë kalon në klasifikimin e thellë të QR Code, i cili lidh faturën me sistemin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Numrin Serial të Lëshimit të Faturës (NSLF), si dhe Numrin e Identifikimit të Veprimeve Tatimore dhe në fund hartohet një raport me 5 fleta analitike për bizneset e dyshuar.

Një biznes bëhet i dyshuar dhe klasifikohet që lëshon fatura të pa fiskalizuara nëse mungon një nga elementët e mësipërm.

Në kuadër të zbatimit të këtij plani, Administrata Tatimore synon të aplikojë kontrolle të targetuara, të bazuara në analizën e riskut; Kërkojë deklarim të saktë dhe të plotë të të ardhurave; Monitorojë deklarimin e punonjësve të angazhuar në aktivitet, si dhe zbatimin e pagave indikative si element në vlerësimin e riskut tatimor dhe Verifikojë zbatimin korrekt të faturimit elektronik për çdo shërbim të ofruar.

ME TE LEXUARAT